Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar 2 mijë e 550 fishekë të kalibrit 9 mm gjatë një kontrolli të realizuar ndaj një automjeti në regjionin e Prishtinës.

Sipas njoftimit, zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, gjatë aktiviteteve operative për luftimin e kontrabandës dhe krimit ndërkufitar, kanë ndaluar një automjet të dyshimtë në segmentin e autostradës Trudë–Prishtinë, për kontroll të mëtejmë.


Gjatë kontrollit fillestar, zyrtarët doganorë kanë dyshuar për ekzistimin e hapësirave të modifikuara në automjet. Pas kontrollit të detajuar, janë zbuluar hapësira të fshehura të ndërtuara pas fabrikimit, ku ishin vendosur fishekët e kalibrit 9 mm.

"Pas përfundimit të kontrollit të detajuar, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale dhe rasti, së bashku me automjetin, municionin dhe personin e dyshuar, i është dorëzuar Policisë së Kosovës për hetime të mëtejshme", thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

Dogana ka bërë të ditur se do të vazhdojë aktivitetet në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të kundërligjshme, duke theksuar bashkëpunimin me institucionet e zbatimit të ligjit për garantimin e sigurisë publike dhe respektimin e legjislacionit në fuqi. /Telegrafi/