“Zhduket në ndeshjet e mëdha”, legjenda franceze thotë se Harry Kane nuk e meriton Topin e Artë

Ish-reprezentuesi i Francës, Emmanuel Petit, beson se Harry Kane nuk ka më gjasa ta fitojë Topin e Artë, duke argumentuar se sulmuesi anglez nuk arriti të bëjë diferencën në ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.
Anglia e përfundoi Kupën e Botës 2026 në vendin e tretë, pasi u eliminua nga Argjentina në gjysmëfinale, përpara se ta mposhtte Francën me rezultatin spektakolar 6-4 në ndeshjen për vendin e tretë.
Kane realizoi gjashtë gola gjatë turneut, me golin e tij të fundit që siguroi fitoren ndaj Meksikës në fazën e 1/16-ës.
32-vjeçari kishte zhvilluar një sezon fantastik me Bayernin para Botërorit, duke shënuar 61 gola në të gjitha garat. Në total, për klubin dhe kombëtaren, nga gushti i vitit 2025 deri në korrik 2026, ai realizoi 73 gola në 65 ndeshje.

Megjithatë, Petit mendon se kjo nuk mjafton për ta fituar çmimin individual më prestigjioz.
“Shanset e Harry Kane për Topin e Artë kanë marrë fund”.
“Nëse e vlerëson vetëm mbi atë që bëri në Bundesligë, atëherë nuk ka asnjë problem”.
“Por në Ligën e Kampionëve dhe me kombëtaren, kur ndeshjet u bënë vërtet të vështira, mendoj se ai u zhduk”.
“Nuk dua ta fajësoj, sepse dha gjithçka dhe shënoi shumë gola, por nuk pati ndikim në ndeshjet e mëdha, njësoj si në Ligën e Kampionëve. Për këtë arsye, mendoj se ka disa emra përpara tij”, deklaroi Petit për Mr Gamble, cituar nga TNT Sports.
Statistikat e gjysmëfinales së Kupës së Botës kundër Argjentinës mbështesin pjesërisht kritikat e francezit. Kane pati vetëm një goditje jashtë portës, nuk preku asnjëherë topin brenda zonës së kundërshtarit dhe e mbylli ndeshjen me vetëm 26 prekje të topit.
Edhe pse në Ligën e Kampionëve shënoi 14 gola me Bayernin, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve pas Kylian Mbappe me 15 gola, Petit beson se paraqitjet në sfidat vendimtare e kanë nxjerrë jashtë garës për Topin e Artë./Telegrafi/










































