Real Madridi mund të detyrohet të paguajë deri në 15 milionë euro për të emëruar trajnerin portugez Jose Mourinho, pasi klauzola e lirimit në kontratën e tij me Benfican ka skaduar në fund të muajit maj, raporton The Athletic.

Sipas raportimeve, Mourinho është pranë rikthimit në Santiago Bernabeu për një aventurë të dytë në stolin e klubit madrilen, pasi thuhet se ka arritur marrëveshje për një kontratë trevjeçare me gjigantin spanjoll.


Klauzola fillestare e lirimit në kontratën e tij me Benficën ishte rreth 6 milionë euro, por ajo ishte e vlefshme vetëm për 10 ditë pune pas përfundimit të sezonit të klubit portugez dhe skadoi më 29 maj.

Real Madridi nuk e aktivizoi këtë klauzolë brenda afatit, kryesisht për shkak të paqartësive të krijuara nga procesi zgjedhor për presidentin e klubit.

Presidenti i klubit, Florentino Perez, shpalli zgjedhjet më 12 maj, pavarësisht se mandati i tij ishte i vlefshëm deri në vitin 2029.

Ky zhvillim vonoi planet për të zyrtarizuar ardhjen e Mourinhos, ndërsa biznesmeni Enrique Riquelme hyri në garën për presidencën.

Raporti thekson se Mourinho kishte arritur marrëveshje me Real Madridin menjëherë pas ndeshjes së fundit të sezonit të Benficës më 16 maj, por klubi spanjoll vendosi të mos aktivizonte klauzolën gjatë periudhës zgjedhore.

Burime pranë çështjes bëjnë të ditur se klauzola tashmë është rritur në 15 milionë euro.

Megjithatë, Real Madridi dhe Benfica mund të negociojnë ende një marrëveshje të veçantë, edhe pse klubi portugez raportohet se nuk ka ndërmend të ulë kërkesat e tij financiare.

Pavarësisht këtij komplikimi, drejtuesit madrilenë mbeten të vendosur për ta rikthyer Mourinhon në krye të skuadrës, ndërsa planifikimet për stafin teknik dhe strategjinë e transferimeve verore tashmë kanë nisur. /Telegrafi/

telegrafi sport app