Ish-kapiteni i Sevillas dhe Real Madridit, Sergio Ramos, ka reaguar pas akuzave nga aksionarët kryesorë të Sevillas se grupi i tij i investimeve kishte ulur ndjeshëm ofertën për blerjen e klubit.

Aksionarët pretenduan se oferta fillestare prej 440 milionë eurosh ishte reduktuar në rreth 220 milionë euro, duke e cilësuar atë si “ofertën më të keqe të marrë ndonjëherë”.


Në një konferencë për shtyp, Ramos mohoi këto pretendime dhe sqaroi se oferta përfundimtare e grupit Five Eleven kap vlerën minimale prej 362 milionë eurosh.

Sipas tij, plani përfshin blerjen e deri në 85% të aksioneve, një rikapitalizim prej 120 milionë eurosh dhe pagesa për aksionarët aktualë në dy faza.

Ramos theksoi se ndryshimet në ofertë u bënë pas rekomandimeve të La Ligës dhe këshilltarëve financiarë, me qëllim forcimin e stabilitetit ekonomik të klubit.

“Jemi ende këtu dhe duam të vazhdojmë negociatat. Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë të ndihmojmë Sevillan të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme”, deklaroi Ramos.

Ai përfundoi duke falënderuar tifozët për mbështetjen dhe duke shprehur dëshirën që Sevilla të rikthehet mes klubeve më të suksesshme në futbollin spanjoll. /Telegrafi/

telegrafi sport app