Juventusi ka nisur kontaktet paraprake për sulmuesin e Manchester United, Joshua Zirkzee, teksa vazhdon të kërkojë alternativa në repartin ofensiv për shkak të negociatave të zgjatura me Paris Saint-Germain për transferimin e Randal Kolo Muanit.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, drejtuesit e klubit torinez kanë kontaktuar përfaqësuesit e sulmuesit holandez për të mësuar më shumë rreth disponueshmërisë së tij dhe kushteve të një transferimi të mundshëm gjatë kësaj vere.


Nga ana tjetër, Manchester United thuhet se e vlerëson kartonin e Zirkzee mes 35 dhe 40 milionë eurove, ndërsa nuk përjashton mundësinë e negociimit të formulave të ndryshme të marrëveshjes.

Megjithëse Randal Kolo Muani mbetet objektivi kryesor i Juventusit, bardhezinjtë nuk dëshirojnë që bisedimet me PSG-në të zgjasin pafundësisht.

Për këtë arsye, klubi ka përgatitur një listë alternativash ku, përveç Zirkzee, bëjnë pjesë edhe sulmuesi i Tottenhamit, Richarlison, si dhe Mateo Pellegrino i Parmës.

Për Zirkzee, një rikthim në Serie A shihet si një mundësi ideale për të rigjetur formën që e bëri një nga sulmuesit më të kërkuar gjatë kohës te Bologna.

Pas një sezoni jo të lehtë në "Old Trafford", 24-vjeçari raportohet se është i hapur ndaj një rikthimi në futbollin italian, ku beson se mund të rilançojë karrierën e tij.

Nëse negociatat për Kolo Muanin dështojnë, Zirkzee pritet të shndërrohet në një nga objektivat kryesorë të Juventusit në këtë afat kalimtar veror. /Telegrafi/

telegrafi sport app