E ardhmja e mesfushorit argjentinas, Enzo Fernandez, vazhdon të mbetet e paqartë, teksa Chelsea ka vendosur një çmim prej 120 milionë eurosh për kartonin e tij, duke e lënë në duart e Real Madridit vendimin nëse do të avancojë për transferimin gjatë verës.

25-vjeçari, i cili përfaqësohet nga ish-futbollisti argjentinas Javier Pastore, dëshiron që situata e tij te klubi të qartësohet përpara se t’i bashkohet përfaqësueses së Argjentinës për Kupën e Botës.


Chelsea nuk është në kërkim të shitjes së lojtarit dhe drejtuesit e klubit londinez janë të qetë me mundësinë që Fernandez të vazhdojë në “Stamford Bridge” edhe sezonin e ardhshëm.

Blutë e Londrës vlerësojnë se rëndësia e tij në skuadër justifikon çmimin e kërkuar, duke pasur parasysh se ai u transferua për 106 milionë euro pas Kupës së Botës së fundit.

Burime pranë klubit bëjnë të ditur se Chelsea nuk do të shqyrtojë oferta nën vlerën e përcaktuar, duke mbajtur një qëndrim të palëkundur pavarësisht interesimit të vazhdueshëm nga klube të tjera.

Nga ana tjetër, Real Madridi po monitoron nga afër zhvillimet dhe mund të shqyrtojë formula alternative për të realizuar transferimin, përfshirë mundësinë e përfshirjes së lojtarëve në marrëveshje.

Megjithatë, deri më tani nuk janë diskutuar emra konkretë mes dy klubeve.

Për momentin, gjithçka varet nga vendimi i Real Madridit dhe qëndrimi i kampit të Fernandezit, teksa palët vlerësojnë nëse një marrëveshje mund të bëhet realitet përpara se afati kalimtar veror të hyjë në fazën vendimtare. /Telegrafi/

telegrafi sport app