Një punëtor ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar si pasojë e rrëzimit të një vinçi në një punishte ndërtimi në zonën e Lagjes së Spitalit në Prishtinë.

Fillimisht ishte raportuar se të dy personat kishin mbetur të lënduar, por Policia e Kosovës ka konfirmuar më vonë se njëri prej tyre nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.


Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Si pasojë e lëndimeve, njëri nga ta nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipa mjekësore në QKUK. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, ka deklaruar Pllana.

Ende nuk janë bërë të ditura identiteti i viktimës dhe i personit të lënduar, ndërsa autoritetet nuk kanë sqaruar shkaqet që çuan në rrëzimin e vinçit.

Prokurori i Shtetit ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për të përcaktuar nëse janë respektuar standardet e sigurisë në vendpunishte dhe për të zbardhur rrethanat që çuan në aksidentin fatal.

Ky është një tjetër rast tragjik në sektorin e ndërtimtarisë, i cili vazhdon të jetë ndër sektorët me numrin më të lartë të aksidenteve në punë në Kosovë.

Sipas të dhënave të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, gjatë vitit 2025 në vendet e punës humbën jetën 32 punëtorë, numri më i lartë i regjistruar në vitet e fundit.

Ndërkaq, deri në muajin prill të vitit 2026, sindikata kishte raportuar për 12 viktima në vendet e punës, duke ngritur shqetësime për nivelin e sigurisë dhe zbatimin e masave mbrojtëse në kantierët e ndërtimit.

Hetimet për rastin janë në vazhdim./Telegrafi.