"Real Madridi e ka transferuar tashmë Rodrin" - gazetari vjen me deklaratë befasuese

Real Madridi mund të jetë shumë më pranë transferimit të Rodrit sesa mendohet, sipas gazetarit të njohur spanjoll Emilio Pérez de Rozas, i cili beson se marrëveshja mes klubit madrilen dhe mesfushorit spanjoll është praktikisht e mbyllur.
Mesfushori i Manchester Cityt vazhdon të lidhet me një largim nga kampionët e Anglisë, pasi raportohet se ka vendosur të mos e zgjasë kontratën e tij, e cila skadon në vitin 2027.
Përveç Real Madridit, interesim për fituesin e Kupës së Botës kanë shfaqur edhe Paris Saint-Germain dhe Barcelona, por klubi madrilen konsiderohet favorit për të siguruar shërbimet e tij.

Duke folur për këtë çështje, Pérez de Rozas la të kuptohet se negociatat janë shumë më të avancuara sesa është bërë publike.
"Unë do të paguaja çfarëdo shume për Rodrin. E dini çfarë mendoj? Mendoj se ata e kanë nënshkruar tashmë", deklaroi gazetari spanjoll.
E ardhmja e Rodrit mbetet e paqartë edhe për shkak të gjendjes së tij fizike. Manchester City konfirmoi së fundmi se mesfushori iu nënshtrua një operacioni të vogël në shpinë për të zgjidhur një problem që e kishte shqetësuar prej disa muajsh. Tashmë ai pritet të nisë një periudhë të shkurtër rehabilitimi.
Sipas raportimeve në Spanjë, Real Madridi synon ta mbyllë transferimin për rreth 45 milionë euro, plus bonuse, ndërsa palët po diskutojnë një kontratë që do ta mbante Rodrin në Santiago Bernabéu deri në vitin 2030.

Drejtuesit madrilenë e shohin mesfushorin spanjoll si zëvendësuesin ideal për të forcuar repartin e mesfushës pas largimit të Toni Kroos dhe Luka Modrić. /Telegrafi/













































