LAJMI I FUNDIT:

Qeveria e RMV-së ka filluar procedurë përzgjedhjeje të furnizuesit universal të energjisë elektrike

Qeveria e RMV-së ka filluar procedurë përzgjedhjeje të furnizuesit universal të energjisë elektrike

Në seancën e sotme të qeverisë është marrë vendimi për fillimin e procedurës për përzgjedhjen e furnizuesit universal të energjisë elektrike, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Nga Qeveria njoftojnë se zgjedhja e furnizuesit universal është në përputhje me Ligjin për Energjinë, me qëllim të realizimit të së drejtës së amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël të kyçur në sistemin energjetik për shërbim universal në furnizimin me energji elektrike.


“Furnizuesi universal do të jetë i detyruar të furnizojë me energji elektrike amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël që ndodhen në zonën ku ka detyrimin për të ofruar shërbim universal dhe që kanë zgjedhur të furnizohen prej tij, në përputhje me detyrimet e përcaktuara me Ligjin për Energjinë dhe rregullat për furnizim.

Ofruesi universal, sipas ligjit, do të jetë i detyruar të ofrojë shërbim universal për një periudhë jo më të gjatë se 5 vjet”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Në periudhën e ardhshme, theksojnë nga atje, do të përgatitet dokumentacioni i tenderit dhe thirrja publike për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe konsumatorëve të vegjël./Telegrafi/