LAJMI I FUNDIT:

“Qëndruam pas makinës” – Si polici dhe kunati i shpëtuan atentatit me 100 plumba

“Qëndruam pas makinës” – Si polici dhe kunati i shpëtuan atentatit me 100 plumba

Një ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi Shkodrën, ku një efektiv i forcave të policisë së Shkodrës dhe kunati i tij u qëlluan me breshëri automatiku, ende nuk ka një autor të dyshuar për ngjarjen.

Pas përmirësimit të gjendjes së 2 të plagosurve, policia mori dëshminë e tyre rreth kësaj ngjarje, ndërsa nuk kishin dyshime për autorë të dyshuar.


“Sapo zbritëm nga makina dëgjuam të shtëna armësh. Nuk kemi arritur që të shohim se kush ishin ata që na qëlluan me armë. Nuk kemi konflikte me persona të tjerë dhe nuk e dimë arsyen përse na qëlluan. Në momentin kur nisën të shtënat kemi lëvizur me shpejtësi duke u munduar të largohemi. Derisa janë larguar qëndruam pas makinës”, thuhet në dëshminë e të plagosurve.

Pistë kryesore e policisë mbetet kërcënimi për shkak të detyrës së Gjergj Ndërshtiqaj që prej një viti punonte si Specialist i policisë në fshatin Shosh në Dukagjin.

Nga mbrëmja e së martës kreu i policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku ndodhet në Shkodër për të ndjekur nga afër hetimet ndërsa mësohet të ketë lënë porosi të prera për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Pas breshërisë së automatikut mbeti i plagosur efektivi i policisë Gjergj Ndërshtiqaj dhe kunati i tij student në shkollën e policisë, Gjon Nika. Ndaj tyre u qëlluar me 2 armë kallashnikov dhe u zbrazën plot 100 plumba por fatmirësisht arritën të shpëtonin pa dëme të shumta.

Pas krimit autorët dogjën automjetin e tyre dhe u larguan në drejtim të paditur. Policia po vijon hetimet pqr zbardhjen e kësaj ngjarjeje.