ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj debatit të krijuar pas deklaratave të Snezhana Paunoviq, që përmendi “spastrimin etnik” të Kosovës, duke mbrojtur qasjen e qeverisë shqiptare dhe duke kundërshtuar kërkesat për reagime të vazhdueshme politike.

Përmes një postimi, Rama tha se nuk është e nevojshme që çdo institucion apo figurë publike të reagojë ndaj çdo deklarate që vjen nga Beogradi.


"Ne kemi reaguar përmes ministrit të Jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten. Kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë", shkroi Rama.

Ai kritikoi edhe ata që, sipas tij, kërkojnë reagime të vazhdueshme nga Tirana, duke thënë se po shfrytëzojnë situata të tilla për përfitime politike.

"Ideja se çdo njeri që ka një zë publik dhe çdo institucion duhet të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht tregon mungesë respekti për veten dhe për shtetin", u shpreh kryeministri shqiptar.

Rama shtoi se mjafton të shihen reagimet e disa figurave politike në Tiranë për të kuptuar, sipas tij, se ato po kërkojnë "të marrin poza luftëtarësh", ndërsa tha se kjo kategori meriton vetëm "keqardhje".