Paris Saint-Germain ka marrë një lajm pozitiv vetëm pak ditë para finales së Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit.

Dy futbollistë kyç, Ousmane Dembele dhe Achraf Hakimi, kanë zhvilluar seancën e plotë stërvitore me ekipin, katër ditë para ndeshjes vendimtare që luhet në Budapest.


Dembele, fitues i Topit të Artë sezonin e kaluar, kishte pësuar një shqetësim në pulpën e djathtë gjatë ndeshjes së fundit në Ligue 1 ndaj rivalëve të qytetit, Paris FC.

Megjithatë, mediat franceze kishin raportuar se pjesëmarrja e tij në finale nuk pritej të rrezikohej, dhe rikthimi i tij në stërvitje e konfirmon këtë optimizëm.

Ndërkohë, situata e Hakimit ishte më e paqartë. Mbrojtësi maroken kishte dëmtuar muskulin e kofshës së djathtë në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich, duke e bërë paraqitjen e tij në finale të dyshimtë deri të martën.

Por fakti që 27-vjeçari e përfundoi stërvitjen pa probleme i rrit shpresat që ai të jetë i gatshëm për duelin me Arsenalin.

Finalja e Ligës së Kampionëve do të zhvillohet të shtunën në “Puskas Arena” në Budapest, me fillim nga ora 18:00, ku PSG synon ta mbrojë titullin e fituar sezonin e kaluar. /Telegrafi/

telegrafi sport app