Pse ‘dështoi’ kalimi i Alvarezit te Barcelona? Zbulohet kushti i Atletico Madridit që ndryshoi gjithçka
Sipas Diario AS, drejtori ekzekutiv i Atletico Madridit, Miguel Angel Gil Marin, kishte vendosur 20 qershorin si afat të prerë për Julian Alvarezin dhe agjentin e tij, Fernando Hidalgo, që të paraqisnin një ofertë prej 150 milionë eurosh, nëse sulmuesi dëshironte të largohej nga klubi.
Pavarësisht se Real Madridi kishte bërë publikisht të ditur më 9 qershor se kishte paraqitur një ofertë prej 150 milionë eurosh, asnjë ofertë me shkrim dhe asnjë negociatë konkrete nuk u materializua.
Kjo bëri që Atletico ta ironizonte situatën në rrjetet sociale, me postime ku shkruante: “Na bëni të qeshim më shumë se Barça".
Gjatë gjithë kësaj situate, Alvarez kishte bërë të ditur se Barcelona ishte destinacioni i tij i vetëm i preferuar, por drejtuesit e Atletico Madridit refuzuan të hapnin negociata për transferimin e tij pasi më 20 qershor kaloi afati pa ardhur asnjë ofertë zyrtare.

Dy ditë pas skadimit të afatit, Alvarez shprehu publikisht dëshirën për t’u larguar nga klubi. Ky qëndrim nuk u prit mirë nga drejtuesit e Atleticos, të cilët ia atribuan deklaratën publike “këshillave të gabuara” nga agjenti i tij.
Atletico Madrid konsideron se dera për largimin e Alvarez është mbyllur përfundimisht, ndërsa klubi ka paraqitur ankesa ndaj Barcelonës në FIFA dhe RFEF.
Në këtë situatë, Alvarez tashmë duhet të përpiqet të rikthejë marrëdhënien e mirë me trajnerin Diego Simeone dhe tifozët e Atletico Madridit./Telegrafi/


































