UEFA ka marrë masa ndaj mesfushorit të Fenerbahçes, Mattéo Guendouzi, pas incidenteve në përfundim të ndeshjes ndaj Lyonit në play-off-in e Ligës së Kampionëve.

Guendouzi është pezulluar me katër ndeshje në garat evropiane, dy prej të cilave me kusht, si dhe është gjobitur me 50 mijë euro.


Edhe Mason Greenwood është dënuar me një ndeshje pezullim dhe 30 mijë euro gjobë. Sipas UEFA-s, të dy lojtarët provokuan tifozët e Lyonit me gjeste pas fitores 2-1 të Fenerbahçes.

Përplasjet pas ndeshjes

Fenerbahçe fitoi 2-1 në Francë dhe u kualifikua në fazën kryesore të Ligës së Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 3-2. Megjithatë, fundi i ndeshjes u shoqërua me tensione.

Sipas mediave franceze, Guendouzi kishte provokuar tifozët vendas që gjatë ngrohjes dhe vazhdoi me gjestet e tij edhe pas ndeshjes.


Situata u përshkallëzua mes futbollistëve të të dyja skuadrave, ndërsa Guendouzi u spërkat me ujë nga mbrojtësi i Lyonit, Zachary Athekame.

Tensionet vazhduan edhe në tunel, ku pati shtyrje dhe përleshje fizike. Canal+ raportoi se një anëtar i stafit të Lyonit u godit në fytyrë gjatë kaosit.

Edhe portieri i Lyonit u dënua

UEFA dënoi edhe portierin e Lyonit, Antonio Ferreira, me pesë ndeshje pezullim, dy prej tyre me kusht, për një ndërhyrje të rëndë.

Gjithashtu, Fenerbahçe dhe Lyon janë gjobitur për incidentet dhe trazirat e shkaktuara nga tifozët.


Kështu, një ndeshje që i dha Fenerbahçes kualifikimin në Ligën e Kampionëve përfundoi me disa dënime disiplinore nga UEFA. /Telegrafi/

telegrafi sport app