Orges Shehi e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij në krye të Prishtinës. Trajneri shqiptar ka regjistruar katër fitore në katër ndeshjet e para, duke e kthyer menjëherë skuadrën kryeqytetase në një prej ekipeve më tërheqëse të këtij fillimi të sezonit.

Bilanci i Prishtinës nën drejtimin e Shehit është mbresëlënës. Fillimisht mposhti Ballkanin me rezultat 4-2, më pas shkatërroi Llapin 4-0, fitoi minimalisht ndaj Vushtrrisë 1-0 dhe në ndeshjen e fundit triumfoi bindshëm 4-1 në udhëtim ndaj Drenicës.


Në katër takime, Prishtina ka realizuar plot 13 gola dhe ka pësuar vetëm tre, ndërsa me 12 pikë është në vendin e parë. Po ashtu Prishtina ka një ndeshje më pak të zhvilluar se rivalët, atë kundër Dritës, e cili do të zhvillohet në vijim.

Orges Shehi (Foto: FC FC Prishtina)

Ky start merr edhe më shumë peshë duke pasur parasysh atë që ndodhi sezonin e kaluar. Prishtina kaloi nëpër një edicion me shumë turbulenca, ku në stolin e saj u ulën tre trajnerë – Arsim Thaqi, Afrim Tovërlani dhe Alban Dragusha.

Ndryshimet e shpeshta nuk i dhanë skuadrës stabilitetin e nevojshëm dhe pritshmëritë e mëdha që ekzistojnë gjithmonë në kryeqytet nuk u përmbushën në mënyrën e dëshiruar.

Këtë sezon, megjithatë, situata duket krejtësisht ndryshe. Prishtina ka qenë e kujdesshme edhe në afatin kalimtar, duke afruar futbollistë që i kanë dhënë më shumë konkurrencë dhe cilësi skuadrës. Në portë erdhi Artan Iljazi, një portier me përvojë në Superligën e Kosovës, i cili më parë kishte mbrojtur edhe te Ballkani.

Në repartin defensiv, Anio Poci ka sjellë siguri dhe ka krijuar një dyshe të fortë me Diar Halilin. Ky i fundit u kthye te Prishtina pas huazimit te Tirana dhe ka treguar një tjetër nivel në këtë fillim të sezonit, duke qenë një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës.

Festa e Prishtinës (Foto: FC FC Prishtina)

Edhe mesfusha ka marrë një tjetër dimension me ardhjen e Arijanit Fazlijës nga Gjermania. Ai është një futbollist polivalent, i cili mund të luajë në disa pozicione pa problem dhe tashmë ka gjetur edhe rrugën e golit. Prania e tij i ka dhënë më shumë alternativa Shehit dhe fleksibilitet skuadrës në mënyrën e lojës.

Një tjetër lëvizje që po rezulton vendimtare është rikthimi i Albin Krasniqit. Sulmuesi ka shkëlqyer në këtë fillim të sezonit, duke qenë protagonist me gola dhe asistime dhe duke i dhënë Prishtinës një tjetër forcë në fazën ofensive.

Ndërkohë, goditja e verës deri më tani duket të jetë Assande Diatta. Futbollisti ka sjellë shpejtësi, intensitet dhe kreativitet në krah, ndërsa së bashku me Kastriot Selmanin po i japin tempo dhe rrezikshmëri lojës së Prishtinës në të dyja anët e fushës.

Pra, starti perfekt i Prishtinës nuk duket të jetë rastësi. Pas një sezoni të kaluar me shumë ndryshime në stol, klubi me presidentin Driton Krasniqi dhe drejtorin sportiv Mentor Zhdrella, ka krijuar më shumë stabilitet, ka bërë ndërhyrje të qëlluara në aftin kalimtar dhe, mbi të gjitha, duket se ka gjetur trajnerin që po arrin t'i bashkojë këto elemente.

Vetë Shehi e ka bërë të qartë se ambicia e madhe e Prishtinës dhe mbështetja e tifozëve nuk janë një barrë për të, por një motivim shtesë. Normalisht, te Prishtina çdo sezon kërkohen trofetë.

FC Prishtina para ndeshjes me FC Drenicën (Foto: FC Prishtina)

“Ambicia e qytetit dhe tifozëve nuk na shton presion, përkundrazi, na vjen mirë që të gjithë mund të bëhemi bashkë. Tifozët janë shumë të rëndësishëm për ne”, ka deklaruar Shehi.

Dhe deri më tani, kjo bashkëpunim mes klubit, trajnerit dhe tifozëve po funksionon në mënyrën më të mirë. Katër ndeshje, katër fitore, 13 gola të shënuara dhe vetëm tre të pësuara janë shifrat që tregojnë më së miri transformimin e Prishtinës.

Sezoni është ende i gjatë, por pas shumë turbulencave, kryeqyteti duket se më në fund ka arsye për të besuar. Orges Shehi ka ardhur me një ide të qartë, ndërsa Prishtina po e shfaq atë në fushë me rezultate, gola dhe një skuadër që duket se po bëhet gjithnjë e më e bashkuar. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app