Prishtina e Cibona dhurojnë spektakël në kryeqytet

Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ishte stërmbushur me adhurues të basketbollist, si dhe Plisat në tribunën e tyre të cilët dhuruan atmosferë impozante gjatë tërë takimit. Kryesia e Sigal Prishtinës, kishte dekoruar sallën me dy banera të mëdhenj, të cilët falënderonin klubin e Cibonës për ardhjen e tyre, si dhe përkujtonin legjendën e basketbollit, Drazen Petrovic.
Ndeshja filloi me një ritëm të shpejtë ku u shqua organizatori i Bardhekaltërve, Jordan Hulls, me trepikëshat e tij dhe shënimet nga afërsia. Mirëpo, basketbollistët e Cibonës tregonin cilësitë e tyre në çdo aksion, ku rrallë herë i humbnin gjuajtjet. Çereku i parë u mbyll me një trepikësh të Dardan Berishës i cili e ngushtoi disavantazhin e vendasve në vetëm një pikë, 22-23.
Çereku i dytë ishte më ndryshe nga i pari, pasi Bardhekaltërit filluan të bëjnë shumë gabime në sulm, teksa lojtarët e Cibonës bombarduan me trepikësha dhe shënime në trapez. Kështu, mysafirët e mbyllën pjesën e parë me 13 pikë epërsi, 39-52.
Në çerekun e tretë në skenë doli Dardan Berisha i cili bombardoi me trepikëshat e tij dhe i tregoi skuadrës së Cibonës, se çfarë superlojtari ka Kosova. Edhe pse Bardhekaltërit arritën ta ngushtonin disavantazhin në vetëm 4 pikë (61-65), basketbollistët kroat e rikthyen përsëri ndeshjen në anën e tyre duke e përmbyllur këtë periodë me 15 pikë epërsi, 61-76.
Në çerekun e fundit të dy skuadrat u hapën shumë në mbrojtje dhe filluan të luajnë vetëm për publikun duke shënuar kështu shumë pikë, teksa ndeshja u përmbyll me 20 pikë epërsi në të mirë të mysafirëve, 81-101.
Më i miri në këtë ndeshje ishte padyshim Dardan Berisha, i cili shënoi 32 pikë, prej tyre 6 trepikësha, ndërsa lojë të mirë tregoi edhe Jordan Hulls. /Telegrafi/

















































