LAJMI I FUNDIT:

Policia e Prokuroria: Nuk janë vjedhur shtëpitë e serbëve në Lubozhdë të Istogut

Policia e Prokuroria: Nuk janë vjedhur shtëpitë e serbëve në Lubozhdë të Istogut

Në fshatin Lubozhdë, komuna e Istogut, dy shtëpi raportohet se janët thyer e demoluar, e të cilat i përkasin serbëve që janë rikthyer në këtë  zonë.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se pas inspektimit të njësive policore të vendngjarjes, në prezencë të mbikëqyrësit të shtëpive, është vënë re se vetëm dritaret ishin lënë të hapura dhe nuk është vërejtur mungesë e sendeve nga brendia e shtëpive.


Për rastin është deklaruar edhe Prokuroria e Pejës.

Zëdhënësi për informim Shkodran Nikçi ka thënë se nga inspektimi paraprak nuk rezulton se shtëpitë kanë pësuar dëmtime të shkaktuara nga ndërhyrja njerëzore.

Ai ka konfirmuar se pronarët e shtëpive aktualisht nuk ndodhen në Kosovë, por prokurori ka udhëzuar Policinë e Kosovës që të intervistojë palët e dëmtuara sapo ato të kthehen në vend.

Paralelisht me këtë situatë, Zyra për Kosovën e qeverisë serbe ka reaguar duke bërë akuza se “aksionet janë kryer nga ekstremistët shqiptarë” në përpjekje për të trembur dhe dëbuar popullatën serbe.

Zyra, e udhëhequr nga Petar Petkoviq, ka ripërsëritur akuzat ndaj politikanëve të Kosovës si përgjegjës për dhunën dhe frikësimin e serbëve, veçanërisht të atyre të rikthyer.