Pas zyrtarizimit të ardhjes së Xabi Alonsos në drejtimin e Chelseat, klubi londinez ka vendosur të forcojë skuadrën me të paktën dy afrime të rëndësishme që përputhen me kërkesat e trajnerit të ri.

Sipas raportimeve, Alonso do të marrë drejtimin e ekipit të parë duke nisur nga vera e ardhshme, me synimin për të sjellë stabilitet në një skuadër që prej disa sezonesh ka shfaqur luhatje të mëdha në performancë.


Ish-trajneri i Real Madridit do të përballet me një sfidë të madhe, por edhe me një projekt ambicioz që synon ndërtimin e një ekipi konkurrues në nivelin më të lartë.

“Dëshirojmë të ndërtojmë një ekip që mund të garojë në mënyrë të qëndrueshme në nivelin më të lartë dhe të luftojë për trofe. Në skuadër ka shumë talent dhe potencial të madh në këtë klub, dhe për mua do të jetë një nder i madh ta drejtoj. Tani fokusi është te puna e palodhur, ndërtimi i kulturës së duhur dhe fitimi i trofeve”, është shprehur Alonso në prezantimin e tij.

Sipas mediave angleze, konkretisht talkSPORT, drejtuesit e Chelseat kanë planifikuar të paktën dy përforcime për t’i ardhur në ndihmë trajnerit të ri.

Prioritet kryesor mbetet një qendërmbrojtës që mund të rrisë stabilitetin defensiv të skuadrës.

Mes emrave të përmendur janë argjentinasi Marcos Senesi nga Bournemouth dhe spanjolli Jacobo Ramon, aktualisht te Como.

Paralelisht, klubi po punon edhe për një përforcim të rëndësishëm në repartin ofensiv. Në krye të listës së objektivave është anglezi Morgan Rogers nga Aston Villa.

Megjithatë, kostoja e lartë e transferimit, rreth 80 milionë euro, si dhe konkurrenca e fortë nga Manchester United, Arsenal dhe Paris Saint-Germain, e bëjnë këtë operacion mjaft të vështirë për t’u realizuar. /Telegrafi/

telegrafi sport app