"Largohu, në aktivitete mos më hajde", "Paris vjedhi do like", përplasje verbale mes LDK-së dhe PSD-së

Partia Socialdemokrate (PSD) ka zhvilluar sot një aksion simbolik para objektit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku pati edhe përplasje verbale mes përfaqësuesve të dy subjekteve politike.
Gjatë aksionit, përfaqësuesit e PSD-së u përballën me zyrtarin e LDK-së, Paris Guri, i cili kundërshtoi mbajtjen e aktivitetit pranë selisë së partisë.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, deklaroi se aktiviteti po mbahej në hapësirë publike.
“Ky është aktivitet në hapësirë publike”, tha Molliqaj.
Ndërkohë, Guri iu përgjigj duke thënë: “Po ju jeni në hapësirat e LDK-së”.
Debati vazhdoi edhe me tone më të ashpra, ku Molliqaj reagoi: “Largohu në aktivitete mos më hajde, jemi në hapësirë publike”.
Në diskutim u përfshi edhe aktivistja e PSD-së, Natyra Kuçi, e cila iu drejtua Gurit duke i thënë: “Hajde dalim në debat që po refuzoni. Paris, vjedhe ndonjë like”, tha Kuçi.
Ndërsa Guri u kundërpërgjigj: “Jo, ju vjedhni do like, se VV po ju shtin në këtë punë”.
Pas përplasjes, Molliqaj akuzoi partitë opozitare për mungesë qartësie lidhur me bashkëpunimin e mundshëm me kryeministrin Albin Kurti pas zgjedhjeve.
“Sikleti i partive opozitare është i papërmbajtshëm. Siç po e shihni, reagimi i LDK-së është i papërmbajtur. Njerëzit që blejnë vota në diasporë, njerëzit që i shkojnë Albin Kurtit në secilin takim. Kurrgjë më shumë PSD s’po don se me u përgjigjë në pyetjen jetike: Çka kanë me bo LDK-ja pas zgjedhjeve? A janë për qeveri me Kurtin apo pa Kurtin? A janë për presidentin me Kurtin apo pa Kurtin? Mashtrimi i opozitës nuk guxon me shku tutje, lypin votat për pushtet anti-Kurti e shkojnë negociojnë me Kurtin”, deklaroi Molliqaj. /Telegrafi/














































