eksperti-banner

Ekipi kombëtar i Iranit ka marrë një lehtësim të rëndësishëm gjatë Kupës së Botës, pasi Departamenti i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara ka vendosur t’i lejojë iranianët të hyjnë në vend dy ditë para ndeshjes së tyre të fundit në grup, pas ankesave të vazhdueshme për kushtet e udhëtimit.

Irani, i cili e ka kampin bazë në Tijuana të Meksikës, kishte kritikuar faktin se ishte detyruar të udhëtonte drejt SHBA-së vetëm një ditë para ndeshjeve dhe të largohej menjëherë pas përfundimit të tyre.


Trajneri Amir Ghalenoei u ankua pas barazimit 0-0 me Belgjikën, duke thënë se skuadra e tij po luante “në kushtet më të këqija të mundshme”. Sipas tij, problemet me vizat dhe afatet e shkurtra të udhëtimit ua kishin vështirësuar përgatitjet për turneun.

Për ndeshjen e zhvilluar në Los Angeles, iranianët mbërritën të shtunën në mbrëmje, luajtën të dielën dhe u detyruan të ktheheshin në Meksikë po atë mbrëmje. Federata iraniane kishte paralajmëruar se do të paraqiste ankesë në FIFA, pasi kërkesa për të udhëtuar dy ditë më herët ishte refuzuar fillimisht.

Megjithatë, për ndeshjen e tretë të grupit ndaj Egjiptit, e cila do të luhet më 26 qershor në Seattle, autoritetet amerikane kanë ndryshuar qëndrim. Një zëdhënës i Departamentit të Sigurisë Kombëtare konfirmoi se skuadra iraniane do të lejohet të hyjë në SHBA dy ditë para ndeshjes, megjithëse do të duhet të largohet nga vendi menjëherë pas përfundimit të saj.

Javën e kaluar, drejtori ekzekutiv i grupit të punës për Kupën e Botës në Shtëpinë e Bardhë, Andrew Giuliani, hodhi poshtë kritikat e Iranit, duke deklaruar se SHBA-ja kishte siguruar viza për të gjithë lojtarët dhe trajnerët e ekipit për të garantuar barazi sportive. Ai pranoi gjithashtu se disa zyrtarëve që shoqëronin ekipin u ishin refuzuar vizat.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, zbuloi se një person me lidhje të drejtpërdrejta me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit kishte tentuar të hipte në fluturimin e ekipit nga Meksika drejt Los Angelesit për ndeshjen kundër Belgjikës.

Pjesëmarrja e Iranit në këtë Kupë Bote ka qenë e shoqëruar me tensione të shumta politike dhe çështje sigurie, ndërsa kombëtarja aziatike vazhdon betejën për kualifikim në fushë, pas barazimeve 2-2 me Zelandën e Re dhe 0-0 me Belgjikën. /Telegrafi/

telegrafi sport app