eksperti-banner

Në vitin 2017, PSG tronditi futbollin evropian kur pagoi klauzolën e lirimit prej 222 milionë eurosh të Neymarit për ta transferuar atë nga Barcelona. Ky operacion i dha klubit katalanas një shumë të jashtëzakonshme parash për të investuar në tregun e transferimeve, por me kalimin e viteve shumëkush vlerësoi se ato para nuk u shpenzuan në mënyrën e duhur.

Duke folur për këtë çështje, ish-presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, i cili drejtonte klubin në atë periudhë, mbrojti vendimet e marra, duke insistuar se transferimet e bëra pas largimit të Neymarit ishin kërkuar nga stafi teknik.


“Tregu ishte fryrë nga klubet angleze dhe klubet e mbështetura nga shtetet, si PSG dhe Manchester City”.

“Ne kishim ekipin më të mirë në botë dhe lojtarët tanë merrnin vazhdimisht oferta”, deklaroi Bartomeu.

“Klubet e tjera donin ta shpërbënin skuadrën e Barcelonës. Kur u pagua klauzola e Neymarit, kaluam një moment delikat, veçanërisht kur disa ditë më vonë mësuam se një klub tjetër ishte i gatshëm të paguante klauzolën prej 400 milionë eurosh të Messit”.

“Stafi teknik na kërkoi Dembelen. Shuma prej 105 milionë eurosh plus 30-35 milionë euro bonuse ishte e përballueshme sepse ai ishte shumë i ri. E nisi mirë, por u dëmtua menjëherë”.

“Xavi kishte thënë që atëherë se ai do të bëhej një lojtar i jashtëzakonshëm dhe këtë e ka dëshmuar te PSG. Ai tashmë ka fituar Topin e Artë”.

“Coutinho erdhi sepse Iniesta na kishte treguar se do të largohej. Edhe ai ishte një transferim i sugjeruar nga stafi teknik. Ne kishim mundësi ta përballonim financiarisht”, përfundoi Bartomeu./Telegrafi/

telegrafi sport app