Pas 14 vitesh luhet derbi më i madh i Ligës së Kampionëve: Statistikat mes Real Madridit dhe Milanit do t'ju befasojnë

Sonte na rikthehet Liga e Kampionëve dhe kjo sjell derbin e shumëpritur mes dy skuadrave evropiane më të trofeshme në këtë garë elitare, Real Madrid dhe Milan, dhe kjo pas plotë 14 vitesh pritjeje. Edhe pse Milani kaloi një periudhë të vështirë pas largimit të Silvio Berlusconit nga posti drejtues në klub, duelet kundër Real Madridi tërheqin gjithmonë shumë vëmendje. Është një duel mes skuadrave me më shumë trofe në Ligën e Kampionëve. Real Madridi është i paprekshëm në krye me 15 tituj të Ligës së Kampionëve, ndërsa Milani është klubi i radhës me 7 trofe. Është interesante se këto dy skuadra kanë fituar më shumë se 30 për qind të edicioneve të Ligës së Kampionëve. Nga 69 gara, këto dy skuadra kanë së bashku 22 trofe.

Para kësaj ndeshje, Real Madridi dhe Milan janë takuar 15 herë në Ligën e Kampionëve dhe të dyja skuadrat kanë nga gjashtë fitore dhe tre barazime. Edhe diferenca e golave është pothuajse identike, pasi Reali ka shënuar 24 gola, kurse Milani 25 gola dhe është më i suksesshëm me një gol. Real Madridi është kampioni në fuqi, trofe që e fitoi në maj të këtij viti, ndërsa kuqezinjtë e presin trofeun që nga viti 2007.

Fitoren më bindëse në këtë rivalitet Milani e ka arritur në vitin 1989, kur sundoi futbollin evropian, teksa mundi Real Madridin 5-0 në “San Siro”. Ai brez i famshëm i Milanit festoi me golat e Carlo Ancelotti, Frank Rijkaard, Ruud Gulit, Marco Van Basten dhe Roberto Donadoni.
























































