Real Madridi ka shënuar fitore të lehtë prej 3-0 kundër Galatasarayt në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve që u zhvillua të mërkurën mbrëma në Santiago Bernabeu.

Ashtu siç pritej, vendasit e dominuan fraksionin e parë të lojës duke krijuar disa raste, nga të cilat i konkretizuan vetëm dy.

Kur po zhvillohej minuta e nëntë, Mesut Oezil dërgoi një pasim të bukur drejt Cristiano Ronaldos, i cili në mënyrë mjeshtërore mposhti portierin Muslera.

Pas një krosimi të Michael Essien, topi arriti disi në këmbët e Karim Benzemas, i cili reagoi shpejtë për ta dyfishuar rezultatin (29’).

Një rast për t’u përmendur për mysafirët e pati Didier Drogba, ndërsa vlen të theksohet se Khedira e preku dy herë topin me dorë brenda në zonë, por arbitri nuk mendoi se ishte penalti.

Në gjysmën e dytë, skuadra turke dukej më e qëndrueshme dhe e përballonte më mirë lojën, mirëpo ishte inferiore në konfrontim me ekipin e frikshëm vendas.

I inkuadruari në vend të Benzemas, Gonzalo Higuain, priti një krosim të Xabi Alonsos nga gjuajtja e lirë, për ta shënuar golin e tretë të Mbretërve (73’).

Rezultati 3-0 e bën Real Madridin favorit absolut për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, megjithatë duhet të presim zhvillimin e 90 minutave tjera në Stamboll. /Telegrafi/