LAJMI I FUNDIT:

Një muaj paraburgim për babanë që dyshohet se vrau djalin e tij në Peran të Podujevës

Një muaj paraburgim për babanë që dyshohet se vrau djalin e tij në Peran të Podujevës
Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se Departamenti për Krime të Rënda ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit me inicialet N.S., i cili dyshohet se ka vrarë djalin e tij në fshatin Peran të Podujevës.

Sipas njoftimit të gjykatës, i pandehuri dyshohet për dy vepra penale; “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.


“Gjyqtari i procedurës paraprake, me rastin e vlerësimit të rrethanave për caktimin e masës së paraburgimit vlerësoi se me ndonjë masë tjetër alternative, nuk mund të arrihet zhvillimi i suksesshëm i procedurës penale, përkatësisht shmangien e rrezikut për ikje si dhe ndikimi në deklarimet e dëshmitarëve dhe mbledhjen e provave materiale në këtë çështje penale”, thuhet në komunikatën për media.

Vrasja në Peran të Podujevës, gjithçka që dihet deri tani 
Lexo po ashtu Vrasja në Peran të Podujevës, gjithçka që dihet deri tani 

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Ndryshe, ngjarja e rëndë ka ndodhur të hënën rreth orës 18:00. Dyshohet se shkak ishte një mosmarrëveshjeje rreth pronës mes të dyshuarit (babait) dhe viktimës (djalit).

Dyshohet se viktima ka marrë për të punuar tokën e një fqinji të tij, me të cilin dorasi i dyshuar ka pasur më parë një konflikt. Megjithatë, zyrtarisht ende nuk është sqaruar se cili ka qenë motivi që dyshohet se shtyu prindin të shkrepë armën mbi djalin e tij.

Sidoqoftë, vrasja ka ndodhur në një arë, që ndodhet afër shtëpisë së tyre, në lagjen “Ismajli” në fshatin Bajqinë. Këtë fshat dhe fshatin tjetër, Peran, i ndanë vetëm rruga.

Lidhur me këtë rast tragjik ka reaguar edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Rasti i vrasjes në Peran të Podujevës na ka tronditur të gjithëve. Duke u lutur që të jetë i fundit ky rast i vrasjes, ngushëllime familjes dhe miqve!”, ka shkruar Bulliqi në Facebook. /Telegrafi/