eksperti-banner

Katër vjet më parë në Katar, Lionel Messi i dha fund debatit për lojtarin më të madh të të gjitha kohërave duke udhëhequr Argjentinën drejt triumfit në finalen e Kupës së Botës ndaj Francës.

Megjithatë, në skuadrën franceze ishte një futbollist që dukej se kishte talentin e nevojshëm për ta rihapur një ditë atë debat. Bëhet fjalë për Kylian Mbappé, i cili në atë finale spektakolare në Lusail realizoi het-trik dhe fitoi Këpucën e Artë të turneut, duke shënuar më shumë gola se Messi.


Me golin e barazimit në kohën shtesë, Mbappe e çoi në katër numrin e golave të shënuar në finalet e Kupës së Botës, duke lënë pas emra legjendarë si Geoff Hurst, Vavá, Pelé dhe Zinedine Zidane.

Në atë kohë, Mbappe ishte vetëm 23 vjeç dhe shumëkush besonte se kishte nisur epoka e tij. Megjithatë, katër vite më vonë, sulmuesi francez ende nuk e ka fituar Topin e Artë dhe as Ligën e Kampionëve.

Ndërkohë, bashkëlojtari i tij, Ousmane Dembélé, mund t’i përfundojë këtë verë me dy Topa të Artë dhe dy trofe të mëdhenj në kabinetin e tij.

Ironikisht, bëhet fjalë për të njëjtin Dembele që zhvilloi një nga paraqitjet më të dobëta të karrierës së tij pikërisht në finalen e Botërorit 2022, aq sa prestigjiozja franceze L’Equipe nuk i dha as notë për performancën e tij.

Nga talent i jashtëzakonshëm në lojtar që zhgënjente vazhdimisht

Shpejtësia e Dembele ishte një armë e rëndësishme për Francën në Katar. Ashtu si Mbappe, ai kishte aftësinë për të kaluar mbrojtësit me lehtësi.

Por aty mbaronin ngjashmëritë mes tyre. Mbappe ishte gjithmonë kërcënim për portën kundërshtare dhe një lojtar që shkëlqente në ndeshjet e mëdha. Ndërsa Dembele shpesh kritikohej për shpërdorimin e rasteve dhe paaftësinë për të bërë diferencën në momentet vendimtare.

Një nga kujtimet më të hidhura të periudhës së tij te Barcelona mbetet gjysmëfinalja e Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit në vitin 2019.

Në fund të ndeshjes së parë, Messi i kishte servirur një rast ideal për të vulosur kualifikimin, por Dembele e humbi mundësinë, ndërsa argjentinasi mbeti i zhgënjyer në fushë.

Finalja e Katarit vulosi reputacionin e tij negativ

Megjithatë, asgjë nuk krahasohet me atë që ndodhi në finalen e Kupës së Botës kundër Argjentinës. Dembele u vendos në krahun ku vepronte Ángel Di María dhe diferenca në performancë ishte e dukshme.

Di Maria dominoi plotësisht në atë zonë, fitoi penalltinë nga e cila Messi realizoi golin e parë dhe më pas shënoi edhe vetë për 2-0.

Ish-mbrojtësi anglez Gary Neville deklaroi se Di Maria e luajti Dembele “si një fëmijë të vogël”.

Paraqitja e francezit ishte aq e dobët sa trajneri Didier Deschamps e zëvendësoi pas vetëm 41 minutash lojë.

Ish-reprezentuesi anglez Stuart Pearce e përshkroi atë si një nga paraqitjet më të dobëta që kishte parë ndonjëherë nga një futbollist profesionist.

“Ai humbi topa, shkaktoi penallti dhe nuk i doli pothuajse asgjë. Ishte si të shikoje një aksident automobilistik”, u shpreh Pearce.

Nga dështimi te statusi i legjendës në Paris

Për shumë tifozë, ajo finale e vulosi statusin e Dembele si një prej talenteve më të shpërdoruara në futbollin modern.

Ai kishte shpërthyer te Borussia Dortmund në sezonin 2016/17 dhe ishte pjesë e Francës kampione bote në vitin 2018, por aventura e tij te FC Barcelona përfundoi me shumë zhgënjime.

Kur u largua nga Barcelona në vitin 2023, shumë e konsideronin si një nga transferimet më të dështuara në historinë e klubit katalanas.

Megjithatë, karriera e tij mori një kthesë të jashtëzakonshme pas transferimit te Paris Saint-Germain. Nën drejtimin e trajnerit Luis Enrique, Dembele është transformuar plotësisht, duke u shndërruar nga një talent i paqëndrueshëm në një nga futbollistët më vendimtarë në Evropë.

Tashmë, në Kupën e Botës 2026, ai ka mundësinë ideale për të kompletuar historinë e tij të jashtëzakonshme. Nëse arrin ta udhëheqë Francën drejt titullit botëror, Dembele jo vetëm që do të fitojë trofeun më të madh në futboll, por mund të vendosë një dorë të fortë edhe mbi Topin e Artë. /Telegrafi/

telegrafi sport app