0Shares

Penalltia e Cristiano Ronaldos në minutat shtesë ndaj Juventusit, e kualifikoi Real Madridin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa i solli një tjetër rekord superyllit portugez në garën më të madhe evropiane për klube.

Mbretërit e kishin fituar me rezultat 3-0 ndeshjen e parë në Torino, ndërsa Zonja e Vjetër ishte duke avancuar me rezultat 3-0 në Santiago Bernabeu deri në minutat shtesë kur u akordua një penallti, të cilën 33-vjeçari e konvertoi në gol.

Goli shënuar ndaj Wojciech Szczesnyt (pasi Gianluigi Buffon u përjashtua me karton të kuq për protesta) ishte goli i 10-të i CR7 kundër Juventusit në Ligën e Kampionëve.

(Foto: Getty Images)

Të gjitha lajmet për Real Madridin Të gjitha lajmet për Real Madridin

Kjo shifër është më e lartë se e cilit do lojtar ndaj një kundërshtari specifik në garën më të madhe evropiane për klube.

Para kësaj ndeshjeje, Ronaldo e ndante rekordin me Lionel Messin, i cili ia ka shënuar nëntë gola Arsenalit në Ligën e Kampionëve.

Ky ishte goli i 15-të i portugezit këtë edicion në garën e madhe evropiane, ndërsa këtë shifër e ka arritur tri herë në karrierë.

Ronaldo është lojtari i vetëm në histori të Ligës së Kampionëve që ka shënuar gola në 11 ndeshje radhazi (duke filluar nga finalja e vitit të kaluar, pikërisht ndaj Juves).

(Foto: Getty Images)

Cristiano është lojtari i tretë me më së shumti paraqitje në Ligën e Kampionëve, pas ish-portierit të Real Madridit, Iker Casillas (167) dhe ish-mesfushorit të Barcelonës, Xavi Hernandez (151).

CR7 dhe Los Blancos janë në kërkim të trofeut të tretë radhazi në Ligën e Kampionëve, ndërsa në gjysmëfinale mund të kenë kundërshtar Liverpoolin, Romën ose Bayern Munichun. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)