Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllime për familjen e zyrtarit policor Altin Kryeziu, i cili ndërroi jetë pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra pasi u godit nga një automjet gjatë kryerjes së detyrës.

Haxhiu ka thënë se vdekja e Kryeziut është një humbje e madhe për familjen e tij dhe për Policinë e Kosovës.


“Sot, familja e tij humbi njeriun e dashur, ndërkaq Policia e Kosovës një koleg dhe pjesëtar të saj që detyrën e kishte zgjedhur si shërbim ndaj të tjerëve”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se rasti është një kujtesë e dhimbshme për rrezikun në komunikacion dhe pasojat që mund të shkaktojë një moment pakujdesie.

“Në komunikacion një çast pakujdesie mund t’ia marrë jetën dikujt dhe t’ua ndryshojë përgjithmonë jetën shumë të tjerëve”, ka deklaruar Haxhiu.

U.d. presidentja ka bërë thirrje për kujdes dhe përgjegjësi në rrugë, duke thënë se ato janë para së gjithash përgjegjësi ndaj jetës së njeriut.

Në fund, Haxhiu i ka shprehur ngushëllimet e saj familjes Kryeziu, kolegëve të Altinit në Policinë e Kosovës dhe të gjithë atyre që e njohën.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/