eksperti-banner

Manchester United mund të përballet me një goditje të madhe në planet e tij për përforcimin e mesfushës, pasi Aurelien Tchouameni pritet të mbetet pjesë e Real Madridit edhe sezonin e ardhshëm.

Mesfushori francez ka qenë një nga objektivat e klubit anglez në merkaton e verës, por sipas raportimeve të fundit, Jose Mourinho e konsideron atë një element kyç të projektit të tij te Real Madridi dhe ka bllokuar çdo mundësi për largimin e lojtarit.


Tchouameni ka hyrë në dy vitet e fundit të kontratës së tij me klubin madrilen dhe kjo situatë kishte nxitur interesin e Manchester United, i cili po kërkon të rindërtojë repartin e mesfushës pas një sezoni nën pritshmëri.

Megjithatë, Mourinho dëshiron ta ketë francezin në qendër të projektit të tij dhe nuk ka dhënë miratimin për një transferim të mundshëm. Drejtuesit e Real Madridit gjithashtu e konsiderojnë 26-vjeçarin një nga shtyllat e skuadrës për vitet e ardhshme.

Që nga transferimi i tij nga Monaco në vitin 2022, Tchouameni është shndërruar në një figurë të rëndësishme në “Santiago Bernabeu”, duke fituar trofe të rëndësishëm dhe duke siguruar një vend të padiskutueshëm si te klubi, ashtu edhe te kombëtarja franceze.

Ndërkohë, Manchester United vazhdon të kërkojë alternativa në treg. Klubi anglez synon të afrojë të paktën dy mesfushorë gjatë kësaj vere dhe mund të shtojë edhe një tjetër në listë në rast se Manuel Ugarte largohet.

Mes emrave që po monitorohen nga drejtuesit e “Djajve të Kuq” janë Elliot Anderson, Carlos Baleba, Sandro Tonali, Adam Wharton, Alex Scott dhe Mateus Fernandes, ndërsa kërkimi për përforcime vazhdon me intensitet të lartë. /Telegrafi/

telegrafi sport app