Alvaro Morata është rikthyer te Juventusi, pasi për herë të parë ai ishte në vitet 2014-2016.

Pasi nënshkroi kontratën që do ta lidh me Juventusin, ai dha një intervistë për ueb faqen e klubit.

“Është një ndjesi shumë e bukur të kthehesh këtu, pasi kam qenë gjithmonë i lidhur me këtë klub dhe jam shumë i lumtur. Mezi pres që të stërvitem bashkë me shokët e mi”.

“Jam gjithmonë gati për Juventusin, pasi është një klub i madh, një skuadër e madhe dhe mbi të gjitha një familje. Mendoj se kur gjen një vend që ndihesh si në shtëpi, ekziston gjithmonë dëshira për t’u rikthyer. Sot ndihem një futbollist më i mirë dhe më i rritur në shumë aspekte”, ka thënë fillimisht 28-vjeçari spanjoll.

Këtë herë në Torino, Morata do të gjejë trajner Andrea Pirlon, atë që në eksperiencën e parë te Juventusi e ka pasur shok skuadre dhe të dy kanë festuar trofe të fituar në fushën e lojës.

“Atëherë ishte një skuadër e madhe, jo vetëm me Andrean, por me shumë futbollistë kampionë. Nëse Pirlo do të jetë i zoti si trajner vetëm sa 50% e asaj që ishte me topin në këmbë, atëherë do të bëjmë gjëra të mëdha”, deklaroi Morata.

Në 2016, spanjolli u përshëndet me tifozët e Juventusit me një gol të shënuar në “Olimpico” ndaj Milanit në Kupën e Italisë.

Ai të dielën në mbrëmje mund të rikthehet sërish tek i njëjti stadium, ku bardhezinjtë do të përballen me Romën.

“Mendoj se nëse gjithçka do të shkojë sipas planit, atëherë do të kem mundësinë të luaj në atë ndeshje. Do të ishte perfekt sikur të shënoja, por aktualisht nuk po mendoj aspak për këtë”.

“Dua të nis sa më shpejt stërvitjen me grupin dhe të luaj në fushë. Angazhimi për të shënuar nuk do të më mungojë asnjëherë’, ka thënë Morata. /Telegrafi/