“Nuk po na lënë të paguajmë”, gazetaret zvicerane të "20 Minuten" mahniten nga bujaria në Kosovë

Dy gazetare zvicerane të portalit të madh “20 Minuten” po qëndrojnë në Kosovë për të raportuar mbi shqiptarët e Zvicrës që kanë ardhur për pushime në atdhe.
Gazetari dhe publicisti Enver Robelli ka bërë të ditur se dy gazetaret, të cilat kanë kaluar disa ditë në Gjilan me shqiptarë të Zvicrës që tregojnë si dhe pse i kalojnë pushimet në Kosovë, tani kanë arritur në Prishtinë, ku po vazhdojnë raportimin e tyre përmes një tikeri live.
Sipas Robellit, gazetaret po mbajnë një lloj ditari digjital, duke ndarë hap pas hapi përshtypjet e tyre nga qëndrimi në Kosovë.
Në shënimin e fundit të tyre nga Prishtina, gazetaret kanë shkruar:
“Mirëmëngjesi nga Prishtina. Po hamë mëngjesin në hotel dhe stafi po na pret me shumë përzemërsi - ashtu si në fakt na kanë pritur kudo deri më tani. Mikpritjen e shumëlavdëruar kosovare po e përjetojmë në çdo takim.”
Ato kanë treguar se qytetarët vazhdimisht u kanë ofruar kujdes dhe ndihmë gjatë qëndrimit të tyre.
“‘Jeni mysafirët tanë, ne kujdesemi për ju’, na thonë vazhdimisht. Dhe sapo ulemi diku, menjëherë pason pyetja: ‘Dëshironi të pini diçka? Diçka për të ngrënë?’ Zakonisht nuk na pyesin vetëm një herë”
Gazetaret kanë theksuar edhe faktin se shpesh nuk janë lejuar të paguajnë për konsumimet e tyre.
“Madje këtu nuk po na lë askush të paguajmë. Çdo kafe, çdo koka-kolë na qeraset bujarisht - edhe pse ne protestojmë me mirësjellje dhe me ngulm. Në fund dorëzohemi qetë dhe i gëzohemi këtij gjesti miqësor.”
Ato kanë shkruar se kanë hasur në gatishmëri të vazhdueshme për ndihmë nga qytetarët.
“Por kjo nuk është e gjitha. Çdo person na ofron ndihmë nëse kemi nevojë për diçka, nëse nuk kuptojmë diçka apo kemi nevojë për mbështetje organizative. Vërehet se të gjithë janë krenarë që mund të prezantojnë atdheun e tyre ende të ri.”
Dy gazetaret zvicerane do të vazhdojnë aventurën e tyre në Kosovë edhe gjatë ditëve në vijim, ndërsa pritet të sjellin më shumë materiale për përvojat e tyre në vend. /Telegrafi/





































