Filmi biografik “Michael”, kushtuar jetës së Michael Jackson, po i afrohet rekordit si filmi muzikor biografik me fitimet më të larta në histori.

Pas suksesit të madh në kinematë amerikane dhe ndërkombëtare, projekti ka arritur deri tani afro 690 milionë euro fitime globale.


Sipas raportimeve, filmi ka arkëtuar rreth 680 milionë euro në mbarë botën dhe ende nuk është shfaqur në Japoni, një treg shumë i rëndësishëm që mund ta ndihmojë të kalojë rekordin e Bohemian Rhapsody, i cili mbetet filmi biografik muzikor më fitimprurës me afro 785 milionë euro të ardhura, shkruan DailyMail.

Në rolin kryesor interpreton Jaafar Jackson, nipi i Michael Jacksonit në jetën reale. Filmi ndjek rrugëtimin e artistit nga koha e grupit Jackson 5 deri në ngritjen e tij si “Mbreti i Popit”.

Megjithatë, pavarësisht suksesit në arkëtime, filmi është përballur me polemika të shumta.

Kritikët kanë reaguar ndaj faktit që në histori nuk trajtohen akuzat për abuzim seksual ndaj fëmijëve, të cilat shoqëruan Jacksonin gjatë viteve të fundit të jetës së tij.

Sipas medieve amerikane, disa pjesë janë hequr për shkak të çështjeve ligjore dhe marrëveshjeve të mëparshme.

Ndërkohë, studioja Lionsgate ka lënë të kuptohet se një vazhdim i filmit është tashmë në zhvillim.

Drejtuesi i studios, Adam Fogelson, ka deklaruar se rreth 25 deri në 30 për qind e materialit për filmin e dytë është xhiruar tashmë dhe se projekti i ardhshëm do të përfshijë ngjarje të tjera të rëndësishme nga jeta dhe karriera e Jacksonit.

Michael Jackson ndërroi jetë në vitin 2009, në moshën 50-vjeçare, pas një arresti kardiak të shkaktuar nga përdorimi i anestetikut Propofol. /Telegrafi/