LAJMI I FUNDIT:

Mërgimtarët në shekullin e Pavarësisë

Nisur nga afria që krijon ideali kombëtar në mes të mërgimtarëve tanë kudo, përveç kontributit fizik e financiar, diaspora shqiptare jo rrallë dha heronj e dëshmorë të kombit, edhe në kohët më të reja. Disa prej të cilëve u vranë në atentatet e organizuara nga UDB-a jugosllave, në vendet ku ata vepronin, si Vehbi Ibrahimi dhe Enver Hadri në Bruksel, kurse Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka në Gjermani.

Mërgata jonë ishte dhe mbeti përherë pjesa më patriotike e kombit me themele të forta kombëtarie, e cila shkëlqeu në të gjitha kohët për atdhetarinë e saj të kulluar. Ndaj, me meritë dhe plot të drejtë, sot ajo jonë hyn ballëhapur, faqebardhë dhe më krenare se kurdoherë më parë, në jubileun e shpalljes së 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë Etnike.


Diaspora shqiptare ishte dhe mbeti gjithmonë e përkushtuar deri në fund kombëtarisht, e cila kurrë nuk pyeti se pse atdheu asnjëherë nuk arriti të bënte sa duhet për diasporën tonë. Por, përkundër gjithë kontributit që dha dhe përpjekjeve të pareshtura që bëri për vendin e saj ndër vite e dekada, ajo gjithmonë jetoi me brengën se ndoshta nuk mundi të bënte sa duhej për kombin dhe atdheun e varfër e të vuajtur nën robëri e sundim regjimesh, të cilat populli ynë i shumëvuajtur nuk i meritoi çdoherë.

Si shkollimin në gjuhën shqipe, ashtu edhe kulturën kombëtare, mërgimtarët tanë i ruajtën dhe zhvilluan me angazhime të veta përmes organizimeve në lidhje e shoqata atdhetare, me kontributet vetjake financiare dhe pa asnjë ndihmë shtetërore, të cilat vetëm shqiptarëve u mungonin, kurse të gjitha kombet e tjera i kishin. Me të shkelur në vendet e huaja, shqiptarët ndër të parët do ta kuptonin, shpejt dhe me kohë, se çdo gjë që dëshirohej, ajo nuk falej, por duhej fituar dhe merituar me punë, angazhim e përpjekje të pareshtura, luftë e sakrifica të pa ndërprera deri në arritjen e saj, siç bënë edhe popujt e tjerë në të gjitha kohët dhe vendet e Botës kudo. Ndaj, për realizimin e aspiratave të tyre kombëtare e njerëzore ata seriozisht duhej organizuar dhe mobilizuar sa më mirë në vend dhe diasporë, që të sensibilizonin institucionet shtetërore ku ata jetonin e punonin dhe opinionin publik ndërkombëtar gjithandej, për realizimin e të drejtave të tyre të cilat u mungonin dhe arritjen e lirisë së atdheut të ndarë e të robëruar.

Kështu do t’i dilnin zot atdheut shqiptarët kudo dhe në të gjitha kohët që nga motet e Naum Veqilharxhit i cili për të vepruar kombëtarisht edhe atëherë u dashtë të shpërngulej në Rumani, ku shkroi Abetaren (Alfabetaren) e parë dhe të dytë.

Andon Zako Çajupi, i cili studimet e larta i mbaroi në Zvicër, ku do të merrte edhe titullin e doktorit të drejtësisë. Pas një kohe u zhvendos në Egjipt, dhe nga atje punoi e u angazhua në dobi të kombit deri në vdekjen e tij më 1930.

Asdreni Himnin e Flamurit kombëtar, me titullin "Betimi në Flamur", për herë të parë do ta botonte më 21 prill të vitit 912 në të përditshmen "Liria e Shqipërisë", që atëbotë dilte në Sofje, kohë kjo kur edhe ai punonte dhe vepronte në Rumani. Faik Konica, themeluesi i kritikës letrare shqiptare, veprimtar-poliglot, gazetar, publicist, politikan, diplomat e njeri me kulturë të lartë, i cili edhe do të bëhej shembull i mendësisë së re shqiptare, pothuajse gjatë gjithë kohës jetoi dhe punoi në vende të huaja, duke u angazhuar për Shqipërinë, deri më vdekjen e tij më 1942 në Uashington. Po ashtu edhe Mit`hat Frashëri, i biri i patriotit Abdyl Frashëri, i cili do të studionte historinë e Shqipërisë dhe në shenj dashurie e respekti ndaj atdheut, më 4 prill të vitit 1929, për krijimin e Institutit Albanologjik, me testament do t’i dhuronte shtetit shqiptar të gjithë pasurinë që kishte. Por, atdheu i tij i dashur, nën regjimin komunist edhe atë do ta dëbonte për të vdekur në rrethana të dyshimta më 1949 në Nju-Jork të SHBA-së.

Duke u bazuar në afrinë që krijonte ideali kombëtar në mes të mërgimtarëve, përveç kontributit fizik e financiar, diaspora shqiptare jo rrallë dha edhe heronj e dëshmorë të kombit edhe në kohët më të reja, disa nga të cilët u vranë në atentatet e organizuara nga UDB-a në vendet ku ata vepronin, si Vehbi Ibrahimi e Enver Hadri në Bruksel, kurse Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka në Gjermani. Vehbi Ibrahimi, i lindur më 23 maj të vitit 1938 në fshatin Uglar të Gjilanit, njihej si patriot i flakët dhe nip i familjes së të famshmit Idriz Seferi. Ndaj, për veprimtarinë e tij kombëtare, mu ai do të bëhej edhe viktima e parë në mërgim, duke u qëlluar për vdekje më 10 tetor të vitit 1981 nga UDB, në Bruksel të Belgjikës, si anëtar i Besëlidhjes Kombëtare, për të mos u zbuluar më kurrë vrasësi i tij. Të njëjtin fat do të pësonte edhe Enver Hadri i cili vetëm disa vite më vonë në të njëjtin vend edhe ai do të vritej.

Pas vrasjes së babait që kur ishte fëmijë nga pushtuesit serb dhe rritjes e burrërimit të tij para kohe, Enveri që në vitin 1972 do të detyrohej të arratisej nga Peja, për t’u vendosur në Bruksel, ku për shumë vite punoi pareshtur, deri në vetëmohim për të drejtat dhe liritë kombëtare të shqiptarëve, duke nxjerrë për herë të parë edhe gazetën "Zëri i Kosovës" në mërgim dhe angazhuar për kombin deri në rënien e tij.

Fal kontributit të madh atdhetar ai do të zgjidhej udhëheqës i organizatës "Rezistenca Kombëtare e Shqiptarëve të Kosovës", në kuadër të së cilës do të bënte një punë shumë të frytshme për kohën, pa përjashtuar iniciativat e tij personale tejet aktive, për çuarjen përpara të çështjes madhore kombëtare. Ndaj, ai përgjohej e përcillej pa ndërprerë nga policia e fshehtë jugosllave, e cila vetëm një ditë para se Enver Hadri të arrinte që në Parlamentin Evropian, Komisionit për të Drejtat e Njeriut me seli në Bruksel, t`i dorëzonte listën me emrat e 32 shqiptarëve të vrarë nga regjimi serb në Kosovë, me t’u ndalur në semafor makina me të cilën ai udhëtonte, Enveri do të plagosej rëndë në rrugë të hapur, duke u qëlluar me dy plumba në kokë nga një makinë tjetër prapa tij, në vendin e quajtur Saint Gilles (Sent Zhil) afër Brukselit, për të vdekur në Spital, si pasojë e plagëve të marra nga UDB-a serbosllave më 25 shkurt të vitit 1990, në moshën 49-vjeçare.

Për kontributin e tij të pazëvendësueshëm atdhetar, në vitin 2006, si patrioti i dalluar që ishte, Enver Hadri, me meritë dhe të drejtë do të dekorohej nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me Urdhrin e Artë "Hero i Kosovës", i cili u ndahet figurave historike në shenjë nderimi ndaj punës dhe përpjekjeve të bëra për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Përveç Vehbi Ibrahimit dhe Enver Hadrit, të vrarë në Bruksel të Belgjikës, edhe Isuf e Bardhosh Gërvalla nga Duboviku i Deçanit, si dhe Kadri Zeka nga një fshat i Dardanës, për shkak të veprimtarisë së tyre kombëtar, po ashtu, do të vriteshin në një atentat të organizuar, nga UDB-a më 17 janar të vitit 1982, në Untergrupenbah të Gjermanisë, vrasësit e të cilëve deri më sot nuk u zbuluan kurrë.

Por, kontributi i diasporës shqiptare nuk u kufizua vetëm me rënien e atdhetarëve të devotshëm të kombit nga atentatet e UDB-së, në perëndim, ajo do t’i falte atdheut edhe ushtarë e udhëheqës të njohur lufte e pushke, gjatë përpjekjeve vendimtare të Kosovës për liri e çlirim, si Agim Ramadani, që në frontet e luftës do të shkonte nga Zvicra, kurse Sali çeku nga Gjermania, e të cilët do të hynin si heronj në histori për thyerjen e parë me luftë, të kufirit shqiptaro-shqiptar, nën udhëheqjen e tyre, ku edhe do të binin dëshmorë që të dy.

Të gjithë këta patriotë dhe shumë luftëtarë të tjerë, nga dëshira e flakët për bashkimin e shqiptarëve, si moto të luftës së tyre do të përdornin sloganin “Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri”, edhe pse një pjesë e tyre vdiqën me mallin e pashuar për të gëzuar lirinë e Kosovës dhe parë çlirimin e viseve tjera shqiptare nën okupim, si dhe me dëshirën e parealizuar për bashkimin e të gjitha trojeve kombëtare në Shqipërinë etnike.

Përveç pjesëmarrjes së mërgimtarëve në të gjitha luftërat dhe përpjekjet e kombit për liri, falë prirjeve të tyre për krijime dhe aktivitete tjera publike, si para lufte e më tepër pas saj, shumë mërgimtarë do të organizoheshin në aktivitete kulturore dhe kombëtare të diasporës, duke formuar klube e shoqata dhe lidhje të ndryshme intelektualësh, shkrimtarësh, artistësh e krijuesish të ndryshëm, për të punuar përherë si shqiptarë të devotshëm dhe gjithmonë në frymë kombëtare.

Megjithëse në një shkrim të tillë është e pamundur që të përfshihen të gjitha veprimtaritë e mërgatës sonë në diasporë, për hir të së vërtetës duhet cekur se një kohë jo të shkurtër edhe në Zvicër do të vepronin disa organizma artistikë, intelektualë e kulturorë, si p.sh. BISHZ (Bashkimi i intelektualëve shqiptar në Zvicër), por edhe shoqata të ndryshme në vendet e tjera evropiane, e deri te Lidhja e Shkrimtarëve në Amerikë.

Në diasporën shqiptare vazhdojnë të jetojnë "Rilindësit" e rinj, trashëgimtarët e penës dhe traditës kombëtare të ish-rilindësve të vjetër shqiptarë, të cilët në mërgim nuk janë të pakët, në vendet ku ata për shumë kohë punojnë dhe veprojnë me dinjitet, duke nderuar kombin dhe atdheun, e që me këtë rast do ta veçoja poetin, shkrimtarin, kritikun, publicistin, kineastin dhe profesorin e nderuar elbasanas me qëndrim në Angli, Dr. Fatmir Terziun, i cili me aktivitetin e tij të gjithanshëm, krijimtarinë cilësore dhe produktive, si dhe punën e palodhshme që ai bën, dëshmohet jo vetëm një herë si rilindës i vërtetë i ditëve tona me të cilin krenohen të gjithë shqiptarët pa dallim.

Mërgata shqiptare është e organizuar edhe në shoqata mjaft aktive, siç është Shoqata e shkrimtarëve shqiptarë në Amerikë, e formuar para më se 11 vjetësh, e cila në mesin e saj ka emra të nderuar, publicistë e aktivistë të dalluar dhe mbështetës të sinqertë të shqiptarizmës si editori i mirënjohur i gazetës “Dielli”, z. Dalip Greca, i cili çmohet për elanin kombëtar dhe kontributin intelektual të tij.

Shoqëri dhe emra të respektuar nga të gjitha trojet tona etnike na kujtojnë edhe sot traditën kombëtare të emigracionit aktiv shqiptaro-amerikan të fillim shekullit njëzet, veprimtaria e të cilëve njihet që nga 28 prilli i vitit të famshëm 1912, kur në Amerikë do të vepronin grupet patriotike dhe politiko-lobiste-shqiptare, për mbrojtjen e interesave të kombit dhe arritjen e pavarësisë së Shqipërisë, për t’u shkrirë pastaj në Federatën më të vjetër panshqiptare në botë, "Vatra", e cila nga Bostoni, pas një kohe do të "atdhesohej" në Nju-Jork.

Kurse sa i takon mërgatës shqiptare në Evropë, ajo që kohët e fundit bie më shpesh në sy dhe tërheq vëmendjen e opinionit për punë e aktivitete të dalluara në perëndim, duhet theksuar se sidomos në këtë vit jubilar, për angazhim-veçohet Lidhja e shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë në Gjermani.

Pra, përveç Shoqatës ekzistuese të shkrimtarëve shqiptarë në Amerikë, më 9 dhjetor të vitit 2006, në Wupertal të Gjermanisë do të themelohej edhe Lidhja e shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve shqiptarë në këtë vend të madh evropian, nga intelektualë të të gjitha fushave, pa dallime dhe me të drejta të barabarta për secilin.

Edhe pse historia e saj filloi ngadalë dhe pa shumë zhurmë e bujë të madhe, krijimi i Lidhjes së shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë në Gjermani, u bë shembull për krijimin e shoqatave tjera jo vetëm shkrimtarësh në vende të ndryshme evropiane, të cilat ndihmojnë në vazhdimësi që kudo në diasporë të ruhet më mirë gjuha dhe kultura jonë, të mos harrohet as anashkalohet ajo, por të vijojë të shkruhet dhe kultivohet me krenari edhe në vendet e huaja nga shkrimtarë, mësues, nxënës dhe pasardhës të mërgatës sonë. Aktivitetet e saj jetojnë dhe gjejnë shprehje e mbështetje kudo tek shqiptarë e gjermanë, duke u bërë kështu shembull sublim që zgjeron kufijtë e respektit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë letrar e kulturor, por edhe frymëzon afrimin dhe bashkimin ndërshqiptar, në këtë vit historik e jubilar të kombit tonë.

Mërgata shqiptare ishte dhe mbeti kurdoherë një zë i fortë dhe i pazëvendësueshëm i lobimeve më të fuqishme e të pareshtura për liri dhe të drejta kombëtare në të gjitha kohët dhe për të gjitha trojet tona etnike, si dhe faktor i arritjes së pavarësisë së Kosovës, e cila atëbotë shprehej si dëshirë dhe jetonte vetëm si ide. Por, falë luftës e përpjekjeve gjithëkombëtare, gjakut të derdhur dhe jetës së dhënë të dëshmorëve, për fat të mirë çlirimi dhe shteti i Kosovës u bënë realitet i pamohueshëm, si ky që sot ekziston. Ndaj, mërgimtarët në diasporë, jo vetëm se u bënë bashkë për të punuar dhe krijuar, por ata i bashkuan edhe sakrificat, mundin dhe aktivitetin e tyre të palodhur patriotik, duke u bërë kështu pjesa më sublime e "federatës" së të gjitha përpjekjeve të mëdha kombëtare e njerëzore dhe të arriturave më të shkëlqyera të shqiptarëve, që nga fillimi i luftërave për liri e pavarësi deri në këtë 100-vjetor të lavdishëm të historisë së popullit tonë.

Ndaj, për qëllimin madhor të kombit, brenda mundësive që kanë, mërgimtarët edhe sot nuk pushojnë së përpjekuri, duke mos u kufizuar vetëm në mbrojtjen e të drejtave "minoritare" për shqiptarët dhe tokat tona të mbetura padrejtësisht jashtë kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë, por për çlirimin e të gjitha trojeve etnike dhe bashkimin e tyre me shtetin amë, ku të gjithë shqiptarët do të ndiheshin të lirë, të lumtur e të barabartë dhe më të sigurt se në çdo vend tjetër në botë.

Ngase, nuk duhet harruar as në këto çaste gëzimi si ky 100-vjetor i pavarësisë së Shqipërisë, se me gjithë respektin tonë të madh, Pavarësia e thirrur nga paraardhësit tanë, nuk u pranua për të gjithë shqiptarët. Ndaj, nisur nga ky fakt ne edhe me këtë rast duhet t’i kujtojmë me nderim trojet tona që ende nuk e gëzojnë lirinë, si Çamërinë e shpopulluar nga shqiptarët, Iliridën pa të drejtat themelore kombëtare, Malësinë dhe pjesët e tjera kombëtare nën Mal të Zi, si dhe Kosovën Lindore, nën Serbi e të cilat deri më 1912 ishin toka tonat. Pra, edhe pse ngjarjet pasuese me vendimet e fuqive të mëdha prenë padrejtësisht shpresat e shqiptarëve në mes, dihet botërisht nga kombi ynë dhe bota mbarë se shpallja e Pavarësisë ishte e menduar edhe për këto troje dhe të gjithë shqiptarët kudo.

Në trend

Më shumë
Si Izraeli përdori dronët për të ngatërruar mbrojtjen ajrore iraniane përpara se të

Si Izraeli përdori dronët për të ngatërruar mbrojtjen ajrore iraniane përpara se të "gjuante raketat supersonike Rampage" - një sulm preciz që heshti Teheranin

Azia
Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

La Liga
Kryesuesja në KS të OKB-së përplaset ashpër me Vuçiqin për minutat e fjalimit

Kryesuesja në KS të OKB-së përplaset ashpër me Vuçiqin për minutat e fjalimit

Lajme

"Ndoshta pse jam shqiptare", Dua Lipa zbulon një talent sekret që ka të bëjë me prejardhjen e saj

Magazina
Gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, dëshmitari tregon se çka i kishte thënë i akuzuari në natën kritike

Gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, dëshmitari tregon se çka i kishte thënë i akuzuari në natën kritike

Drejtësi
Përplasja e SHBA-së me Rusinë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë

Përplasja e SHBA-së me Rusinë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë

Lajme
Kalo në kategori