eksperti-banner

Ushtria ka treguar se mund të japë rezultate, pavarësisht presionit mbi burimet me të cilat po punon aktualisht.

Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com


Britania më në fund sekuestron një cisternë të flotës fantazmë ruse - por, pse tani?

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, forcat britanike, të udhëhequra nga Marina Mbretërore dhe të drejtuara nga selia e saj në Northvud, hipën në MT Smyrtos, një cisternë e flotës fantazmë të Vladimir Putinit.

Operacioni i hipjes në anije u krye nga Marina Mbretërore, shoqëruar nga anëtarë të Agjencisë Kombëtare të Krimit. Ekipi zbriti me litarë nga një helikopter Chinook i Forcave Mbretërore Ajrore (RAF), ndërsa dy anije luftarake të Marinës Mbretërore - HMS Sutherland, një fregatë e tipit 23, dhe HMS Ledbury, një ndjekëse minash, në thelb pa rëndësi - si dhe dy helikopterë të Marinës Mbretërore (një Merlin dhe një Wildcat), së bashku me një aeroplan P-8 Poseidon, siguruan mbikëqyrjen e operacionit.

Për ekipet e përfshira, ky nuk ishte skenari më i vështirë për të cilin stërviten, por realizimi i saktë i tij kishte rëndësi. Kur operacionet e tilla shkojnë keq, situata përkeqësohet shumë shpejt.

Baza ligjore ishte e drejtpërdrejtë: sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit, Britania kreu një kontroll për verifikimin e flamurit. Anija mbante një flamur kamerunas që ishte qartazi i rremë, duke na dhënë të drejtën të kryenim një inspektim të shtetit të flamurit. Prandaj, veprimi është i ligjshëm. Ai është gjithashtu strategjikisht i rëndësishëm.

Cisternat e flotës fantazmë ekzistojnë për të transportuar naftë ruse në kundërshtim me sanksionet, duke gjeneruar të ardhura që financojnë luftën e Putinit në Ukrainë dhe një pjesë të madhe të pjesës tjetër të ekonomisë ruse.

Megjithatë, sekuestrimet si ky kanë të bëjnë po aq me psikologjinë sa edhe me mohimin e përdorimit të aseteve: “Ne ju shohim dhe, nëse shkelni ligjet tona, do të veprojmë me vendosmëri.” Kjo është gjithashtu arsyeja pse duhej ta kishim bërë këtë prej muajsh.

Konteksti më i gjerë e bën vonesën edhe më të vështirë për t’u injoruar. Britania sinjalizoi për herë të parë qëllimin e saj për të nisur hipje të tilla në janar, kur ndihmoi Shtetet e Bashkuara në sekuestrimin e Bella 1/Marinera. Në mars, John Healey, atëherë sekretar i Mbrojtjes, tha se do të pasonin veprime të tjera. Që atëherë, më shumë se 200 anije të flotës së errët kanë kaluar pranë nesh pa asnjë reagim. Franca ka kryer disa ndërhyrje të tilla. Edhe vendet e tjera evropiane dhe baltike kanë vepruar. Britania, pavarësisht premtimeve të përsëritura, nuk bëri asgjë deri tani.

Koha e këtij veprimi është e pamundur të shkëputet nga politika e brendshme. Dy ministra të lartë të Mbrojtjes kanë dhënë dorëheqjen ditët e fundit. Një sekretar i ri i Mbrojtjes është emëruar në momentin e fundit. Plani i Investimeve në Mbrojtje, i cili synonte të shpërndante fondet për kapacitetet kritike, është shpërbërë pikërisht kur po afrohet një zgjedhje e pjesshme e rëndësishme për qeverinë laburiste. Autoriteti ligjor për ta bërë këtë ka ekzistuar gjatë gjithë kohës; ne thjesht zgjodhëm të mos e përdornim. Ajo që ndodhi mbrëmë më kujton një problem matematike - ndonjëherë mund të arrish te përgjigjja e saktë edhe kur mënyra se si ke arritur deri aty është e tmerrshme.

Edhe kur thamë se mund ta bënim këtë që në mars, disa anije të flotës së errët filluan të ndiqnin rrugën më të gjatë përreth Irlandës, duke u shkaktuar kosto reale në kohë dhe karburant.

Rusia ka rritur numrin e eskortave me anije luftarake - që ofron gjatë kalimit nëpër Kanalin Anglez. Asnjëra prej këtyre zhvillimeve nuk është pa kosto për Moskën. Edhe vetë kërcënimi i një hipjeje në bord sjell kosto. Kryerja reale e një operacioni të tillë do të rrisë çmimin e aktivitetit të saj dhe do ta detyrojë Rusinë t’i shpërndajë edhe më shumë burimet e veta të kufizuara detare.

Megjithatë, mbeten disa pyetje serioze. Cila është kombësia e ekuipazhit dhe ku do të dërgohet ai? Çfarë do të ndodhë me ngarkesën? Shumica e anijeve të flotës fantazmë janë më shumë se 20 vjet të vjetra, të pasiguruara dhe shpesh të pasigurueshme. Sa e sigurt dhe e aftë për lundrim është vetë Smyrtos-i dhe çfarë masash do të merren për të dhe për ngarkesën e saj në vazhdim?

Vendet e tjera kanë ndaluar anije vetëm për t’i mbajtur ato për disa javë dhe më pas për t’i lënë të vazhdojnë rrugën pa shumë kundërshtim. Kjo është një fushë ku duhet të tregohemi më të ashpër.

Hakmarrja, veçanërisht në fushën kibernetike, nuk mund të përjashtohet. Britania tashmë përballet me presion të vazhdueshëm kibernetik; ky operacion mund të shkaktojë një rritje të tij.

Jo mjaftueshëm anije luftarake

Përkitazi me debatin e javës së kaluar mbi shpenzimet e mbrojtjes, është një tjetër shqetësim: qëndrueshmëria. Marina Mbretërore dhe RAF-i performuan në mënyrë të shkëlqyer mbrëmë. Por, fakti që një anije kundërmasash ndaj minave, e futur në shërbim në vitin 1981, u vu në përdorim për këtë operacion tregon shumë për kufizimin e forcave të disponueshme.

Britania nuk ka mjaftueshëm anije luftarake për të mbajtur një fushatë kundër flotës fantazmë, duke përmbushur njëkohësisht edhe të gjitha angazhimet e tjera. Një operacion mbresëlënës hipjeje në bord dëshmon kapacitetin. Përsëritja e këtij veprimi rregullisht, në disa teatro veprimesh, do të vërë në provë kapacitetet.

Thënë kështu, është e qartë se mbrëmë u përdorën të gjitha mjetet e mundshme dhe kjo është e kuptueshme për një operacion të parë të këtij lloji. Nëse kjo do të bëhet më e zakonshme, siç duhet të ndodhë, do të prisja që herën tjetër të shiheshin më pak forca të angazhuara në vendngjarje.

Ekziston gjithashtu një argument që duhet bërë ndërsa po nxitojmë drejt sistemeve pa pilot, ndonjëherë me arsyetimin e kursimit të kostove. Elementi kyç i asaj që ndodhi të dielën kërkonte burra dhe gra të vendosur, me armë, që impononin vullnetin e tyre mbi “armikun”. Një pjesë e madhe e luftës ende përfundon në këtë mënyrë, pavarësisht se sa shumë mbështetësit e teknologjisë do të dëshironin të mos ishte kështu.

Ky ishte një demonstrim energjik dhe i ekzekutuar mirë i asaj që forcat e armatosura britanike ende mund të arrijnë kur u jepet drejtimi i qartë - edhe pse duhej të kishte ndodhur muaj më parë. Tani shpresa duhet të jetë që kjo të shënojë fillimin e një ritmi të qëndrueshëm operacionesh dhe jo një gjest të vetëm politik.

Ushtria ka treguar se mund të japë rezultate pavarësisht presionit mbi burimet me të cilat po punon aktualisht. Qeveria tani duhet të dëshmojë se mund të vazhdojë të japë rezultate, dhe ta bëjë këtë në mënyrë të qëndrueshme dhe mbi bazën e një strategjie, e jo sipas momentit të radhës më të përshtatshëm në ciklin e lajmeve të politikës së brendshme. /Telegrafi/