Man City gjen pasuesin e Bernardo Silvas, e bën prioritet yllin e Chelseas

Manchester City ka nisur të eksplorojë një transferim të madh për mesfushorin e Chelseat, Enzo Fernandez, gjatë afatit kalimtar veror.
Sipas raportimeve nga “The Athletic”, interesi i kampionëve të Anglisë është ende në fazat fillestare, ndërsa klubi po përgatitet për jetën pa Bernardo Silvan, i cili tashmë është konfirmuar se do të largohet nga “Etihad” në përfundim të kontratës së tij.
Mesfushori argjentinas ka kaluar një periudhë të trazuar kohët e fundit, duke u përballur edhe me vendimin e ish-trajnerit të Chelseat, Liam Rosenior, për ta lënë jashtë formacionit pas disa deklaratave që lidhen me Real Madridin. Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve, vlera dhe ndikimi i tij në fushë mbeten të padiskutueshme.
Manchester City nuk është i vetëm në këtë garë, pasi edhe Real Madridi po monitoron situatën e lojtarit. Në të njëjtën kohë, klubi anglez po ndjek edhe alternativa të tjera për mesfushën, ku Elliot Anderson i Nottingham Forest shihet si një opsion rezervë.

Fernandez ka kontratë me Chelsean deri në vitin 2032, por bisedimet për rinovim nuk kanë avancuar. Në rast se palët nuk arrijnë një marrëveshje, lojtari mund të shqyrtojë mundësi të tjera për të ardhmen e tij.
“Nëse nuk arrihet një marrëveshje, ai do të shqyrtojë opsione të tjera”, kishte deklaruar më herët agjenti i tij, Javier Pastore.
Pavarësisht formës së paqëndrueshme të Chelseat këtë sezon, fituesi i Kupës së Botës 2022 ka qenë një nga pikat më të forta të skuadrës londineze. Ai ka regjistruar 12 gola dhe 6 asistime në 48 paraqitje në të gjitha garat, duke dëshmuar rëndësinë e tij si “motor i mesfushës”./Telegrafi/





















































