LAJMI I FUNDIT:

Lirohen 34 të arrestuarit e protestës së 8 janarit në Tiranë te selia e PD-së

Lirohen 34 të arrestuarit e protestës së 8 janarit në Tiranë te selia e PD-së

Gjykata e Tiranës vendosi të lirojë nga burgu 34 të arrestuarit e protestës së dhunshme të 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike, këtë të mërkurë.

Prokurori i çështjes deklaroi në sallë se brenda selisë së PD-së, nuk ishte gjetur asnjë gjë e paligjshme.


Seanca ishte e ndarë në dy pjesë, në fillim u zhvillua për protestuesit mbështetës të Sali Berishës, ndërsa më pas u zhvillua seanca e të arrestuarve që ishin në katin e dytë të selisë blu.

Prokuroria kërkoi për 29 persona masën “Detyrim paraqitje”, ndërsa për pesë të tjerë “Arrest shtëpie”, ndërsa gjykata vendosi për shumicën “Detyrim paraqitje” dhe për pjesën tjetër asnjë masë. Mes personave të arrestuar ka edhe qytetarë nga Kosova.

Sipas akuzave që janë ngritur, rezulton se 11 nga të arrestuarit janë mbështetës të Bashës dhe 23 të tjerë të Berishës.

Në sallën e gjyqit për të ndjekur seancën ishin të pranishëm Albana Vokshi, Klevis Balliu dhe Oerd Bylykbashi, si mbështetës të grupit të Berishës.

Ndërsa nga pala e Lulzim Bashës ka shkuar Gazment Bardhi me grupin e tij.

Të shtunën, selia e Partisë Demokratike u sulmua me forcë nga mbështetës të Sali Berishës që iu përgjigjën thirrjes së tij për të protestuar për largimin e kreut Lulzim Basha.

Protestuesit tentuan të hapin me forcë dyert e blinduara dhe thyen xhamat. Menjëherë ndërhyri policia për të shpërndarë turmën, ku u përdor edhe gaz lotsjellës.

Kujtojmë se Kryesia e PD-së, përjashtoi përgjithmonë nga Partia Demokratike. Sali Berishën dhe mbështetësit e tij.

Në një mbledhje maratonë të kryesisë është marrë vendimi për përjashtimin e anëtarëve të të Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Rigels Muçollari, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.

Ndërkohë, janë pezulluar deputetët: Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Kelliçi, Blendi Himci, Çlirim Gjata, Edit Harxhi, Edi Paloka, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Gent Deromemaj, Genc Pollo, Genti Strazimiri, Rigels Mucollari, Ivi Kaso, Ledina Mandia, Luan Baci, Lorenc Luka, Mimoza Hajdarmataj, Oerd Bylykbashi dhe Tritan Shehu.

Muajt e fundit, Partia Demokratike është përballur me një betejë të brendshme politike mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe Sali Berishës, duke e ndarë partinë më të madhe opozitare në vend në dy kampe.

Berisha thirri Kuvendin Kombëtar të partisë më 8 dhjetor dhe më pas në vend u mbajt referendumi, ku demokratët votuan për shkarkimin e Bashës dhe u ngrit Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së. Të gjitha këto lëvizje të Berishës, janë cilësuar jo legjitime nga PD-ja zyrtare. /tch/