Legjenda angleze i sigurt: Vetëm dy klube mund ta rivalizojnë Arsenalin për titull sezonin tjetër në Ligën Premier

Legjenda angleze Michael Owen është i bindur se vetëm dy klube janë në garë për t’ia rrëmbyer titullin e Ligës Premier, kampionit në fuqi Arsenal sezonin e ardhshëm.
Pas tri përfundimeve radhazi si nënkampion, Arsenali më në fund ia doli ta fitojë titullin e Ligës Premier për herë të parë që nga sezoni 2003/04.
“Topçinjtë” rrezikuan ta lëshonin nga dora titullin në sprintin final, por u rikthyen pas humbjes 2-1 ndaj Manchester Cityt me katër fitore radhazi, duke e siguruar trofeun pasi skuadra e Pep Guardiolës humbi pikë ndaj Bournemouthit në mesjavë.
Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Michael Owen, beson se prova më e vështirë për Arsenalin sezonin e ardhshëm do të vijë nga dy klubet e Mançesterit, të cilat këtë sezon e mbyllën në vendin e dytë dhe të tretë.
“Mendoj se sfida sezonin e ardhshëm do të vijë vetëm nga Manchesteri”, i tha Owen Metro.
“Mendoj se Manchester City do të jetë i fortë, edhe nëse Pep largohet, sepse e rivalizuan Arsenalin deri në fund këtë sezon dhe kanë një grup të mirë lojtarësh të rinj që kanë treguar se do të jenë në garë për titull sezonin e ardhshëm dhe me dy kupat vendore, do të rikthehen edhe më të fortë”.

“Dhe ka kaluar pak kohë, por Manchester United mund të jetë pretendues për titull nën drejtimin e Michael Carrick. Nëse e shihni formën e tyre që nga ardhja e tij, ajo është patjetër e një pretendenti për titull”.
“Liverpooli do të shpresojë të garojë, por duhet t’i bëjë të gjitha si duhet për ta arritur dhe nuk jam i sigurt se janë ende aty”.
Sezoni i Arsenalit mund të bëhet edhe më i madh nëse ata triumfojnë ndaj kampionëve në fuqi, Paris Saint-Germain, në finalen e Ligës së Kampionëve të shtunën e ardhshme.
Shumë nga lojtarët e Mikel Artetës kanë gjithashtu një verë të ngarkuar përpara në Kupën e Botës, por spanjolli pritet ta kthejë shpejt fokusin te përgatitjet për sezonin e ardhshëm, me synimin për ta mbrojtur titullin e Ligës Premier për herë të parë në historinë e klubit./Telegrafi/







































