Aston Villa dhe klubet e Ligës Premier në garë të ashpër për Arijon Ibrahimovicin

Disa klube të Ligës Premier, me Aston Villan në krye të listës, po e monitorojnë nga afër mesfushorin e ri të Bayern Munichut, Arijon Ibrahimovic, në prag të një lëvizjeje të mundshme gjatë verës.
Sipas asaj që raporton “TEAMtalk”, 20-vjeçari është shndërruar në një nga talentët më interesantë të Bundesligës, pas paraqitjeve pozitive gjatë huazimit te Heidenheim këtë sezon.
Aston Villa, Brighton, Brentford, Fulham dhe Crystal Palace kanë kryer vëzhgime të shumta dhe skautim të detajuar për Ibrahimovicin, duke vlerësuar rritjen e tij të dukshme në futbollin gjerman.
Edhe pse Heidenheim përfundimisht ra nga Bundesliga, performancat individuale të Ibrahimovicit morën vlerësime në Gjermani dhe i rritën ndjeshëm reputacionin në departamentet e rekrutimit të klubeve angleze.
Mesfushori ofensiv kontribuoi me dy gola dhe katër asistime, duke luajtur në disa role – si në qendër, pas sulmuesit dhe edhe nga krahët, një fleksibilitet që po e bën gjithnjë e më tërheqës për klubet që kërkojnë talente të rinj e të adaptueshëm.
Sipas TEAMtalk, skautët janë impresionuar veçanërisht nga cilësia teknike, qetësia me topin dhe pjekuria taktike e 20-vjeçarit. Brighton thuhet se e vlerëson inteligjencën e tij teknike dhe potencialin afatgjatë, ndërsa Brentford dhe Fulham kanë eksploruar mundësinë e një marrëveshjeje nëse Bayerni e lejon një tjetër huazim apo edhe largim përfundimtar.

Nga ana tjetër, Crystal Palace dhe Aston Villa mbeten të vëmendshëm ndaj çdo zhvillimi. Villa po kërkon më shumë kreativitet dhe thellësi në skuadrën e Unai Emeryt përpara një sezoni të ngarkuar, ndërsa Palace vazhdon të fokusohet te talentët e rinj europianë me potencial të lartë rishitjeje.
TEAMtalk nënvizon se Bayerni ende e sheh Ibrahimovicin si lojtar me të ardhme të madhe. Klubi bavarez ka qenë i kënaqur me zhvillimin e tij te Heidenheim dhe besohet se minuta të rregullta në Bundesligë i kanë përshpejtuar progresin fizik dhe taktik gjatë 12 muajve të fundit.
Megjithatë, konkurrenca e madhe për vende në ekipin e parë të Bayernit bën që një tjetër lëvizje e përkohshme të mos përjashtohet. Ende nuk ka një vendim final për të ardhmen e afërt të lojtarit, pasi Bayerni pritet ta vlerësojë gjatë përgatitjeve parasezonale përpara se të vendosë hapin e radhës.
Interesim ka edhe nga klube të tjera evropiane, por fuqia financiare dhe tërheqja e Ligës Premier po e bën Anglinë një destinacion gjithnjë e më të mundshëm – nëse Bayerni vendos se zhvillimi i tij kërkon një tjetër hap jashtë Mynihut./Telegrafi/








































