LAJMI I FUNDIT:

Lajçak e Petkoviq flasin për draft-statutin e Asociacionit dhe hapat e ardhshëm për zbatimin e marrëveshjeve

Lajçak e Petkoviq flasin për draft-statutin e Asociacionit dhe hapat e ardhshëm për zbatimin e marrëveshjeve

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të hënën ka takuar kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.

Siç ka njoftuar Lajçak në rrjetin social “X”, me Petkoviqin kanë bisedur për draft-statutin e Asociacionit dhe hapat e ardhshëm për zbatimin e marrëveshjeve.


“Me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq, fola për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, hapat e ardhshëm për zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe obligimet në pritje”, shkroi Lajçak.

Emisari evropian theksoi se do të vazhdojë diskutimet me Kosovën në fund të kësaj jave.

Ndërsa ditë më parë, Lajçak deklaroi se e ardhmja evropiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk mund të shihet as në ëndërr pa normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai bëri thirrje që të mos humbet kohë për implementimin e obligimeve nga dialogu dhe të mos humbet rasti për avancim në rrugëtimin drejt BE-së. Lajçak shtoi se viti i ardhshëm do të jetë një vit me kalendar të ngjeshur politik, sepse do të ketë zgjedhje në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Lajçakut, tash është një moment i ri në procesin e zgjerimit, që është shumë më i favorshëm sesa më parë. Ky moment i ri, tha ai, është krijuar nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe agresioni i tij ndaj Ukrainës”./Telegrafi/