eksperti-banner

Kupa e Botës 2026 ka sjellë spektakël që në ndeshjet e para të fazës së grupeve. Në 24 ndeshjet e zhvilluara deri tani janë shënuar plot 75 gola, me një mesatare prej 3.125 golash për ndeshje, shifra më e lartë në këtë fazë të turneut që nga viti 1958.

Pavarësisht shqetësimeve për formatin e zgjeruar të Botërorit, rivaliteti dhe balanca mes skuadrave nuk kanë munguar.


Nëntë nga 24 ndeshjet kanë përfunduar në barazim, duke e çuar përqindjen e barazimeve në 37.5 për qind, nivelin më të lartë në këtë fazë që nga viti 2010.

Pas përfundimit të raundit të parë të ndeshjeve, statistikat individuale kanë nxjerrë në pah disa emra që kanë spikatur më shumë se të tjerët.

Gjuajtësit më aktivë

Gjashtë lojtarë realizuan gjashtë ose më shumë gjuajtje në ndeshjen e tyre të parë, por vetëm dy prej tyre arritën të gjenin rrugën e rrjetës – Harry Kane i Anglisë dhe Lionel Messi i Argjentinës.

Dy golat e Kane e barazuan atë me Gary Lineker si golashënuesin më të mirë të Anglisë në historinë e Kupës së Botës me 10 gola, ndërsa tregolëshi i Messit e çoi legjendën argjentinase në kuotën e 16 golave, duke barazuar rekordin e Miroslav Klose si golashënuesi më i mirë në historinë e turneut.

Mesfushori turk Arda Guler kryeson për numrin e gjuajtjeve me tetë tentativa, por këto raste prodhuan vetëm 0.26 gola të pritshëm, duke treguar se shumica e goditjeve të tij erdhën nga pozita të vështira.

Nga ana tjetër, Son Heung-min i Koresë së Jugut rezultoi ndër lojtarët më të pafat përpara portës. Ai nuk arriti të shënojë pavarësisht se krijoi raste me vlerë totale prej 1.0 nga gjashtë tentativa.

Ndërkohë, 24 futbollistë kanë një normë perfekte realizimi prej 100 për qind, por vetëm dy prej tyre kanë shënuar më shumë se një gol, Yasin Ayari i Suedisë dhe Elijah Just i Zelandës së Re, të cilët kanë realizuar nga dy herë secili.

Krijuesit më të mirë të rasteve

Shtatë lojtarë krijuan nga pesë raste ose më shumë në ndeshjen e tyre hapëse, por vetëm Joshua Kimmich i Gjermanisë arriti të regjistrojë dy asistime, në fitoren e thellë 7-1 ndaj Curaçaos.

Pedri ishte futbollisti më kreativ i raundit të parë sipas statistikës së asistimeve të pritshme, me 1.23.

Mesfushori spanjoll bëri gjithçka për të ndihmuar ekipin e tij kundër Kepit të Gjelbër dhe gjithashtu rikuperoi topin gjashtë herë në të tretën sulmuese të fushës, dyfish më shumë se çdo lojtar tjetër në turne.

‘Mbreti’ i driblimeve

Amad Diallo i Bregut të Fildishtë ka qenë dribluesi më efektiv i Botërorit deri tani.

Edhe pse luajti vetëm 34 minuta si zëvendësues, sulmuesi i Manchester United realizoi numrin më të madh të driblimeve të suksesshme dhe regjistroi përqindjen më të lartë të suksesit mes lojtarëve që tentuan të paktën pesë driblime.

Në anën tjetër, Vinicius Junior shënoi golin e Brazilit ndaj Marokut, por nuk arriti të kalonte kundërshtarin në asnjërën nga nëntë tentativat e tij për driblim, statistika më e dobët e këtij lloji në turne deri më tani.

Fituesit e dueleve

Kur bëhet fjalë për duelet individuale, Jiovany Ramos i Panamasë dhe Krepin Diatta i Senegalit kanë qenë më dominuesit në raundin e parë.

Mes 158 lojtarëve që u përfshinë në të paktën 10 duele, këta dy futbollistë regjistruan përqindjen më të lartë të fitoreve.

Një përmendje meriton edhe Jovo Lukic i Bosnje-Hercegovinës, i cili ishte i pakalueshëm në ajër ndaj Kanadasë.

Sulmuesi fitoi të nëntë duelet ajrore që zhvilloi, duke qenë i vetmi lojtar në turne me më shumë se katër duele ajrore që ka ruajtur një rekord perfekt. /Telegrafi/

telegrafi sport app