LAJMI I FUNDIT:

Kur Wiedi zbriti nga vapori, në portin mjeran të Durrësit

Kur Wiedi zbriti nga vapori, në portin mjeran të Durrësit

Nga: Sven Auren (pjesë nga libri “Orienti i Evropës”)
Përktheu: Adil Biçaku

… Me urdhër të superfuqive, udhëtoi një delegacion aristokratësh shqiptarë, me Esat Pashën në krye, vetë pretendent jozyrtar për në Pallatin Nojvid në Rhen, atje ku kurora e principatës së re iu dhurua zyrtarisht Wilhemit, njëkohësisht që Princit iu komunikua situata e gëzueshme që ai nën entuziazmin e furishëm të popullit shqiptar “zgjidhet” Mbret i parë i Shqipërisë.

Princi i emocionuar falënderoi për këtë besim dhe nder që populli shqiptar tregon për të dhe e pranon me gjithë qejf pasi ai, me mjaft largpamësi, kishte marrë siguri nga superfuqitë që i garantonin një pension prej 200 000 frangash nëse ngjarjet do të bënin të papërshtatshme një qëndrimin në këtë mëmëdheun e ri. Delegacioni i premtoi besnikëri, i rekomanduan veten e tyre dhe u kthyen në Durrës. Kjo ndodhi rreth ndërrimit të viteve 1913-‘14.

Natyrisht, parandiente Wilhelmi shumë shqetësim kur mendonte për këtë detyrë të rrezikshme për jetën që ai pranoi të merrte. Ai nga natyra qe larg ndonjë heroi. As edhe shtypi botëror nuk e ndihmoi atë që të ndihej i gëzuar. Gazetat e gjithë botës ishin mbushur plot me profeci fatkeqësish dhe histori të babëzitura tmerri mbi egërsitë dhe aftësitë e përsosura të shqiptarëve në përdorimin e armëve. Krejtësisht veçantë merreshin gazetarët, me kënaqësi, duke bërë krahasime të zymta me tragjedinë e Meksikës, të perandorit Maximilian. Veç atyre, pati edhe ngjashmëri të tjera midis çiftit perandorak meksikan dhe çiftit princor të porsa gatuar shqiptar, siç theksonte shtypi. Në të dy rastet ishte një grua lakmiqare, energjike, që bindi burrin e vet që të pranojë një pozitë të lartë joshëse e sa për dukje.

Ndërsa princ Wilhelmi në shtëpi në Nojvid merrte mësim për gjuhën shqipe, si dhe studionte gjeografinë dhe gjendjen sociale të principatës së tij, bashkëshortja shkoi në Bukuresht që tek Mbretëresha e Rumanisë, Elizabeth Wied, të marrë një grimë informacionesh për kulturën popullore të Ballkanit. Vërtetë Mbretëresha kishte publikuar nën pseudonimin “Carmen Silva” disa shkrime të përzemërta e interesante, të thjeshta në këto fusha. Të dy damat biseduan dhe Princesha Wied u kthye në Gjermani. Si rezultat direkt i bisedave të rëndësishme, rezulton një porosi në Berlin për “kostume popullore shqiptare” dhe si kompletim të pajisjeve siguroi Princesha një depo të pasur nga këngë popullore shqiptare dhe instrumente muzikore shqiptare.

Njëkohësisht me këto masa, u nisën një sasi valixhesh për në Durrës i cili do të bëhej qyteti rezidencial i çifti princor. Banorët e qytetit qëndronin nga mëngjesi e deri në darkë në port, ku jo më pak se 156 arka të mëdha me mobile, pajisje kuzhine dhe gjëra tjera u shkarkuan prej një avulloreje nga Trieste. 16 kuaj shale u strehuan nën një tendë për mungesë stalle. U punua me rigorozitet për ta transformuar një ish banesë Pashai turk, në një “Pallat”. Për një mëditje të pabesueshme, mundoheshin marangozët dhe tapicierët austriakë për të përgatitur dhomat. Më e keqja qe me mijtë. Mjeshtri i ndërtimit dërgonte njërin pas tjetrit raporte të dëshpëruara në Nojvid. Ai kishte provuar të gjitha ilaçet shfarosëse por, kjo kafsha e ndyrë, prapë se prapë nuk donte të zhdukej nga “salla e fronit” dhe nga salloni i pritjes.

Pati gjithashtu një mori gjërash tjera që duheshin përgatitur përpara se, më në fund, të mund të niste udhëtimi. Me shumë mundim dhe kujdes përgatiti Wilhelmi uniformën e vet princërore. Sikur të mos kishte ndonjë traditë shqiptare ku të mbështetej, d.m.th. veshjet e bukura të prijësve të malësisë, ai do t´i besonte krejtësisht fantazisë së vet. Do të ishte e padrejtë që të mos i japim atij një elozh për rezultatin: një kapotë ushtarake bojë gri e hapët me vija të gjëra floriri rreth mëngëve dhe spaleta të bukura, në kokë një kokore të bardhë gëzofi si princ i madh rus dhe në ballë të kokores, nën shqipen e artë të Skënderbeut, një kordon të trashë të florinjtë me xhufka.

Por, mjeshtëria ma e përsosur nga të gjitha qe ideja për pendën e konstruktorit të uniformës së Princit. Ajo që e bardhë dhe një gjysmë metër e lartë dhe qëndronte njësoj si një fshesë në një plumb floriri, drejt përpjetë në qoshin e kokores, sikur Princi mbante vazhdimisht mbi kokë një bombë eksploduese në miniaturë. Edhe pse kjo kapela madhështore plotësonte kushtet e mëdha estetike që kërkoheshin, por më vonë tregoi se kishte të paktën dy telashe serioze siç ishte: jepte shkak rreziku incidenti të prestigjit të Princit nëpër dyert e ulëta shqiptare, si dhe u pa që ishte pak e bezdisshme për kushtet mjaft tropikale të principatës. Një tjetër masë e rëndësishme, që edhe u arrit, qe krijimi i një urdhri “Shqiponja e bardhë e Skënderbeut”, si dëshmi falënderimi princor dhe u jepej personave të veçantë të merituar.

Me këtë filloi udhëtimi i Wilhelmit dhe Sofies së Shqipërisë prej Nojvidi, drejt principatës së tyre, si vegla të bindura të diplomacisë gjermano-austriake për të sheshuar rrugën për një politikë efektive në Ballkan.

***

Në Shqipëri, valët e gëzimit ishin të mëdha. Me të vërtetë jetonin akoma mbi një milion shqiptarë nën zgjedhën e huaj, me të vërtetë ishte ky sovrani i ri i huaj dhe përveç saj i krishterë (në një shtet ku shumica më e madhe e popullsisë ishte myslimane), por, megjithatë, ëndrra e lashtë e lirisë, edhe pse jo krejtësisht, më së shumti ishte realizuar. Qëllimi i politikës së madhe që principata e re do të detyrohej t’i shërbente, që për masën e gjerë të popullit qe absolutisht e panjohur edhe brenda rretheve, te intelektualët mbretëronte një optimizëm i çuditshëm për sa i përkiste “pavarësisë” së Shqipërisë së re. Njerëzit besonin atë që dëshironin të besonin; dhembshuria e hapur për luftën katërqindvjeçare të shqiptarëve për liri qe shkaku i lindjes së kombit.

Ata ishin krenarë që nga superfuqitë iu njohtë Mbreti i vet, që fjala në shqip do të thotë sundimtar dhe që është një masakrim i fjalës latine imperator. Mbreti Wilhelm kishte përmbushur shpresat e mëdha të popullit shqiptarë,  atë moment që pranoi kurorën princore. Më në fund bujku shqiptar vetë do të ishte zot i tokës së tij, sepse flitej në publik që një reformë rrënjësore agrare do të ishte pika e parë në programin e qeverisë së re. Bejlerëve do t´ju kufizohej pushteti. Flitej edhe për ndërtime rrugësh madhështore, shkollash, industri dhe çdo gjë tjetër të mundshme që do të ndihmonte popullin shqiptarë të hidhte hapin prej Mesjetës në kohën e re. Mbreti qe caktuar nga Allahu të ngrejë mantelin e rënë të Skënderbeut dhe të bëhet një Skënderbe i ri.

Dhe, teksa shqiptarët festonin për fitimin e ri të lirisë, për princin e tyre dhe mbi mirësinë e padëgjuar të Allahut qëndronte Wilhelm-Skënderbegu me puplën dhe çdo gjë në tarracën e barkës Taurus, me destinacion Durrësin dhe i jepte vetes kurajo: guxim!

Një që përkundrazi nuk qe aq i gëzuar mbi rrjedhjen e ngjarjeve, qe një burrë që unë e kam përmend ma përpara: Esad Pasha. Ky tip i çuditshëm, kalorës i pamëshirshëm, madje do të luante një rol të tillë vendimtar në pesë muajt e historisë së principatës së Shqipërisë dhe që pa asnjë kusht do një prezentacion më të hollësishëm. Si një anëtarë i fisit të lartë aristokrat, Toptani u rrit në Shqipërinë e mesme dhe prej atje prindërit e dërguan në Kostandinopojë për studime më lart për oficer. Këtu, në moshë të re, ai ka sukses të madh, bëhet një nga të preferuarit e Abdyl Hamidit dhe mbushet plot me dëshmi lavdëruese të cilat, në fakt, nuk e pengojnë atë të konspiroj kundër Sulltanit. Unë kam treguar më parë, si është ai, se si anëtar i denjë i shoqatës “Turqit e rinj” i paraqet rrëzimin Abdyl Hamidit. Për këtë trimëri ai shihej me një aspekt krejt të veçantë nga “Turqit e rinj” dhe dërgohet në Shqipëri, në krye të trupave turke, të shuajë lëvizjet për liri në pjesën veriore të vendit. Atë ai e bën aq rrënjësisht dhe mizorisht, që pastaj shërbeu si kundërshtar i pamëshirshëm për çdo gjë që quhej liri shqiptare.

Në fillim të Luftës së Madhe Ballkanike, formoi një ushtri të vogël private me të cilën marshoi drejt Shkodrës, ku mëkëmbësi turk me shumë vështirësi përpiqet tu përballojë sulmeve të malazezëve. Në sajë të ndihmës së Esat Pashës, u përmirësua situata. Disa ditë pas ardhjes, fton mëkëmbësin turk për një darkë të vogël në rezidencën e vet, ku e vret atë dhe merr komandën e mbrojtjes së qytetit. U duk sikur fati do t’u ngadhënjente turqve, kur papritmas dhe pamenduar i dorëzon qytetin malazezëve pasi pat siguruar dalje të lirë prej qytetit për vete dhe ushtrinë e tij.

Arsyeja e kapitullimit qe e pakonceptueshme, por kontoja e shëndoshë e Esatit në Paris ngjitet ndjeshëm në shkallë të lartë për arsye të shpërblimit nga malazezët. Me ushtrinë e tij private ai vazhdon pastaj të luftoj vetë, kur i pëlqen dhe kur i tekej. Njerëzit e afërt të tij vdesin njëri pas tjetrit nën rrethana mistike dhe Esati i trashëgon ata të gjithë. Ai bëhet më i pasur për çdo ditë që kalon.

Dhe, vjen një ditë kur superfuqitë njohin Shqipërinë si komb të lirë. Esadi që sapo ka shtyp mizorisht dhe me gjak lëvizjet për liri në Veri të Shqipërisë, është befasisht më i zjarrti mik i lirisë, në gjithë vendin. Fatkeqësisht superfuqitë nuk u treguan të interesuar për paraqitjen e propozimit diskret për një Mbret Esad I. Për hidhërimin e tij duhet që ky miku i zellshëm i lirisë të shoh se si vendoset për Wilhelm Wiedin, por ai e përmban veten dhe argumenton me Italinë: ky burrë nuk do ta ketë të gjatë në fron.

Ai ndryshon plotësisht dhe bëhet përkrahësi më i zellshëm i Princit. Kur delegacioni i aristokracisë shqiptare niset për Nojvid për t’i ofruar Princit të ri kurorën, është Esadi i cili është kryetari i delegacionit. Kur Taurusi më 7 mars 1914 shket në molin e Durrësit, është Esadi, i cili qëndron përpara në këtë tubim, me aristokracinë shqiptare, që presin të përshëndesin mirëseardhjen e çiftit princor në tokën shqiptare.

Mbas këtij grupi të përbërë nga pashallarë dhe bejlerë me kapele republike, që shkëlqejnë dhe me veshje korrekte perëndimore, qëndron dhe pret me padurim, populli shqiptar. Skelat dhe brigjet janë mbushur me popull. Korrespondentë specialë të dërguar nga shtypi botëror lëvizin penat në blloqet e shënimeve. Zien nga veshje të bukura, nga gra me ferexhe, me brekushe myslimane, nga barinj me gëzofë lëkurë delesh dhe prijës malësie me pallto kadifeje të qëndisura me flori.

Prej maleve në veri dhe jugë, prej luginave dhe rrafsheve të larta, kanë ardhur shqiptarët në Durrës për ta pa Mbretin e Shqipërisë. Ata kanë rrugëtuar me ditë dhe javë, në gomar dhe kuaj, për të marrë pjesë në zbritjen historike në tokën e tyre. Kur Taurusi sapo dallohet në horizont, shpërthen entuziazmi pa fre. Njerëzit thërrasin dhe bërtasin, qeshin dhe qajnë. Kjo është dita e madhe e Shqipërisë.

Taurusi dhe eskorta e destrojerëve lëshuan spirancat jashtë molos. Një anije shkon te vapori i ardhur dhe disa minuta më vonë, nën sinjalet e trumbetave të muzikës ushtarake, qëndron Princi dhe Princesha e Shqipërisë, për herë të parë në tokë shqiptare. Wilhelmi me uniformën e re dhe duket madhështor, me qëndrimin e drejtë dhe figurën e shkëlqyer. Princesha e bukur është veshur sipas modës së fundit të Parisit.

Atëherë brohoritjet arritën kulmin. Nga masa e popullit gjëmon fjala përshëndetëse shqiptare, si një valë magjepse për çiftin princor:

– T’u njat jeta! T’u njat jeta!

Por, Princi dhe Princesha, nuk përgjigjen sipas zakonit shqiptarë, me të njëjtën fjalë. T’u njat jeta! – jetofsh gjatë! – s´përfshihet në fjalorin e Princit. Wilhelmi çon dorën te kapela e gëzofit, për nderim dhe thotë:

– Danke schën. Danke vielmals…

Dhe, Sofija buzëqesh, me një buzëqeshje të përzemërt:

– Tres bien! Merci beaucoup…

***

Fatkeqësisht, nuk mundemi me e dit se çfarë mendonte Wilhelmi kur ai prej tarracës së Taurusit pa qytetin e tij të ardhshëm përpara vetes: një grumbull shtëpiash të shkatërruara dhe rrugë të ndotura, port mjeran, ku vaporët nuk mundeshin me u afrua në skele, por duhet të qëndronin jashtë saj, një “Pallat” që në asnjë farë mënyre e motivon të zihet me gojë, britma e turmave të njerëzve me rroba të çuditshme dhe pamje të egra. Matanë qytetit, pa disa fusha të thata dhe pas fushave, vargmalesh të thata, me grumbuj reshë që të tmerrojnë.

Ndoshta i shkoi mendja dhe njëherë, te Perandori Maximilian i Meksikës. Kur ai i vëzhgoi më afër nënshtetasit e vet, i rrëshqitën sigurisht mendimet edhe në gjurmën e Meksikës. Në Berlin, Paris, Londër dhe kryeqytete të tjera që ai njihte, zakonisht burrat shkojnë me bastunë ose ombrella. Këtu s´kishte faktikisht asnjë individ burrë që nuk mbarte një pushkë, të gjatë e kërcënuese në kurriz.

Se çfarë mendonin shqiptarët, pas ballafaqimit të parë me sunduesin e ri, përkundrazi nuk është ndonjë sekret. Po atë natë, pasi entuziazmi i parë u qetësua dhe njerëzit në përgjithësi e mblodhën veten, filluan me pëshpërit mbi filxhanët e kafes. Nuk qëndronte një simbol i pahijshëm në këtë që mbreti erdhi me një jaht austriak dhe eskortuar me vapore luftarakë italiane, një parandjenjë shqetësuese, sepse sundimi i huajë s´ka shumë që ka mbaruar në Shqipëri?

Apo çfarë do të thoshim mbi gjithë këto kartolina, të atij vetë dhe bashkëshortes, që mbreti ka shpërndarë në gjithë vendin? Si ishte e mundur që një zonjë e lartë të dojë të dali pa perçe dhe jo vetëm kaq, por në dekolte të thellë, ekzakt sikur ajo krejt hapët do të tregoj mospërfilljen e saj për urdhrin e profetit? Dhe kabineti ministror i ri. Shpirtligu i Shqipërisë, ishte Esat Pasha.

Krimet e tij të panumërueshme, pa mëshirshmëria e tij legjendare, etja për pushtet e pangopshme. Pikërisht këtë Esad e kishte zgjedhur mbreti për ministër të Brendshëm dhe të Luftës. Si mundesh me e shpjegua një përzgjedhje të tillë? Ishte arsyeja se mbreti nuk njihte situatën shqiptare apo marrëzi fare? Apo thjesht nga frika e këtij pashait të fuqishëm? Përveç asaj, as qeveria në përgjithësi nuk të jepte besim. Si ishte e mundur që shqiptari i thjeshtë të shpresonte në një reformë agrare, kur të gjitha postet e ministrive, i kishin bejlerët çifligarë?

Megjithatë, nuk qe asnjë gjendje revolte që dominonte në Durrës, qe vetëm një pesimizëm i vazhdueshëm, parandjenja shqetësuese që ishte vështirë me e shkund. Njerëzit mundoheshin faktikisht, sa mundeshin të ndihmonin Mbretin, në misionin e tij. Për të larguar mendimet në anë tjetër, njerëzit shkuan poshtë në skelë dhe këqyrnin midis dërrasave të gardhit të “Pallatit”. Ai dukej madhështor me gjithë ata funksionarë me uniforma të mbushura me dekorata, që vraponin sa para mbrapa, midis arkave dhe kutive akoma të pahapura.

Edhe roja duket impresionues, me uniformën ngjyrë ulliri te gjelbër dhe me pushkë me bajonetë të mbërthyer. Por, ajo që bëri përshtypjen më të madhe ishin ata dy shërbëtorët. Njëri kishte veshje malësore, pra shqiptar i Veriut dhe tjetri veshje toske, d.m.th. shqiptar i Jugut. Pra, kjo ishte një shenjë, që Shqipëria është bërë një shtet homogjen! Nuk mund ta dinin spektatorët që kjo qe vetëm një imitacion i thjeshtë i rojeve austriake dhe hungareze në pallatin Hofburg të Vjenës.

Në oborrin Mbretëror filloi të vihej rregulli. Familja princore kalonte pjesën më të madhe të ditës në bahçen e vogël ku ishin vënë disa divane të rehatshme, atje poshtë në buzë të detit prej ku mund të shihje mbi Adriatikun dhe ëndërroje përsëri për Nojvidin. Herë pas here vinte ndonjë prijës malësor poshtë në qytet i shoqëruar dhe kërkonte audiencë. Ai pritej me formalitete madhështore dhe informohej nga adjutanti në detyrë që Princit i pëlqen të titullohej “Naltmadhni” ose “Naltmadhëria e Tij”. Ai merrte një dekoratë me vete kur largohej nga Durrësi.

Megjithatë, Mbreti nuk la ndonjë përshtypje të thellë: sjellja e ngathët, ndrojtja, pothuaj buzëqeshja e stërmunduar nuk të jepte përshtypje bindëse. Bajraktari kthehej në malet e tij ku atje në një tubim të përgjithshëm jepte opinionin e tij për zotin e Shqipërisë. Wilhelmi ndërmori disa masa të vogla qeveritare nga të cilat një nuk ishte e përshtatshme për të ngjallur simpati: ndërpreu bashkëpunimin me Komisionin Internacional që kishte qendrën në Durrës dhe që detyra e tij ishte të punonte për organizimin e shtetit shqiptarë. Komisioni i fyer u shpërngul prapë për në Vlorë.

Princit iu paraqitën disa ide që ai duhet të bënte disa vizita në vendin e tij, të dilte para popullit dhe të kërkojë të fitojë simpati me anë të kontakteve. Wilhelmi nuk pranonte absolutisht rrugëtime në këtë vend kusarësh! “Po nuk do madhëria e tij të paktën të dalë përpara banorëve të Durrësit”? Pas shumë ngurrimi, Wilhelmit iu mbush mendja nga këto lutje, por sipas mënyrës së tij speciale. Ai doli vetëm së bashku me bashkëshorten, duke e ditur mirë se asnjë atentator shqiptar kurrë nuk do të qëllonte mbi të kur ai kishte një grua në krahun e tij. Por, shqiptarët e kuptuan këtë dredhi dhe pëshpëritjet për frikën e Mbretit dhe thashethemet e reja u shpërndanë më shumë.

Disa javë ma vonë, kur pesimizmi u rrit deri në pakënaqësi të hapur, kur ekselenca e tij, ministri i Brendshëm dhe i Luftës e ndjeu veten të fortë që ai mund të fillonte të intrigojë seriozisht, atëherë fillon akti i dytë dhe i fundit i operetës. Është një akt i shkurtër por intensiv. Skena e parë paraqiste një krahinë malore në jugë të Shqipërisë, tjetra luhej në Durrës.

***

Kjo filloi me një që besohet se ishte një revolt e inspiruar nga ana greke, në jug të Shqipërisë. Ushtria e qeverisë shqiptare mundohet me çdo mënyrë me ia dalë në krye me rrebelat, por shkaktarët e kryengritjes duket se disponojnë burime të pashtershme kur është fjala për armë dhe para. Shefi i Komisionit Ushtarak holandez në Durrës, kolonel-lejtnant Thomson, me detyrë të organizojë xhandarmërinë e ardhshme të principatës, do ta ndalojë luftën me anë të bisedave direkete me udhëheqësin zyrtarë të kryengritësve Zografos dhe prandaj udhëton për në front. Ai thërritet të kthehet urgjentisht nga Esad Pasha. Ekselenca e tij nuk e sheh kaq të nxitueshme për marrëveshjet paqësore. Çështja është në të vërtetë kjo që është ekselenca e tij i cili qëndron pas revoltës. Ministri i Luftës dhe i Brendshëm është Komandanti i Përgjithshëm, si mbi trupat rebelë ashtu edhe mbi ushtrinë e qeverisë.

Këtë mundet ta quash strategji!

Në dhomën e fjetjes së Wilhelmit shfaqet natën fantazma e perandorit Maximilian, gjithnjë e më shpesh dhe Princi zbehet dhe bëhet më nervoz për çdo ditë që kalon. Sipas mënyrës më të mirë ushtarake prusiane, pajiset me një hartë lufte. Esad Pasha i paraqet çdo ditë raporte të pritura në ankth në dhomën e tij të punës.

-Naltmadhëria e juaj, thotë Esadi dhe si i shqetësuar rrudh fytyrën e shëndoshë – unë fatkeqësisht detyrohem të lajmëroj disa suksese të kryengritësve në Gjirokastër. Nëse Madhëria e juaj më lejon, kështu që unë do të propozoja prapë se prapë një ofensivë në zonën e Sarandës. Në këtë mënyrë do t´i sulmonim rebelët pas shpine…!

– Mirë, i dashur Esad – thotë Wilhelmi me zë të dridhur, ku ai është ulur dhe i përkulur mbi hartën e luftës me gjilpëra me kokë me ngjyra. – Unë u besoj plotësisht juve. Ju e dini cilat masa, që janë më efektivet.

Ekselenca e tij përkulet me shumë respekt dhe largohet e del. Sa më shpejt që munden ta bëjnë ato këmbët e vogla të tij, atë trup aq trashaluq dhe të shëndoshë si mullar byku. Ai është Pasha edhe si figure, pastaj me vrap përsëri për në dhomën e vet të shërbimit ku menjëherë hynë në funksion si komandant i ushtrisë rebele. Kuajt e korrierëve ikin prej Durrësi me revan. Telegrafi punon: Trupat qeveritare planifikojnë ofensivë. Sarandë. Stop. Merr masa. Stop. E tjera. E tjera.

Por, i pakujdesshëm nga sukseset, ekselenca e tij në fakt e çon ca si larg strategjinë e çuditshme. Nuk mundet të mbahet më gjatë sekreti që është ministri i Luftës dhe i Brendshëm, që është udhëheqësi i vërtetë i revoltës. Ekselenca e tij duhet të arratiset. Ai merr një destrojer italian dhe shkon në Itali; atje rrugët tashmë janë të hapura për të, po ashtu për çdo njërin që kontribuon të nxisë më shumë trazira në principatën Shqiptare dhe të ndihmojë për të sheshuar rrugën për një mandat italian.

Wilhelmi, lëshon një psherëtimë lehtësuese, por zhdukja e ministrit të Luftës dhe të Brendshëm nga arena nuk e ndihmon situatën. Zjarri është shpërndarë në përpjesëtime të mëdha, vlon pak gjithandej në vend. Ky Pashai i fuqishëm ka pasues në Tiranë, vetëm tridhjetë milje larg prej Durrësi dhe tashmë pëshpëritet për revoltë edhe në këtë qytet. Nga këto thashetheme, Princi i humb krejtësisht konceptet: ai dërgon një trupë në Tiranë, me urdhrin e dëshpëruar që të qëllohet mbi çdo individ të armatosur edhe pse ai tashmë ka arritur të konstatojë që shqiptarët, nga tradita, dalin gjithnjë të armatosur. Rezulton fare natyrshëm zjarr kundër nënshtetasve besnikë dhe me këtë, Shqipëria gjendet definitivisht në zjarr.

Disa ditë më vonë dëgjohen deri brenda në “Pallat” krismat e plumbave në rrethinat e Durrësit. Lemeria e Wilhelmit kalon në histeri. I verdh si kufomë nga tmerrimi, ulet pasardhësi i Skënderbeut me zonjën, adjutantët dhe stolitë, në një barkë dhe lundron për në një nga destrojerët italian, që gjithë kohës. qëkur ai erdhi, kanë qenë në gatishmëri afër molit. Kjo është idiotësia më e madhe në përgjithësi që ai e sajoi. Lajmi fluturoi mbi gjithë Shqipërinë dhe prej veriu në jugë ushtoi një jehonë e shpërthimit të gazit në gjithë vendin. Kryengritësit qeshnin, besnikët e qeverisë qeshnin, gjithë populli i vjetër luftarak tundet nga të qeshurit. Ishin gati të pushonin grindjet armiqësore. Kjo është gjithsesi tepër qesharake: pasardhësi i Skënderbeut i trembet plumbit …!

Mjekesia.comRekomanduar nga boost.al

Me shumë vështirësi dhe me mobilizimin e gjithë aftësive të mundshme bindëse, arritën anëtarët e qeverisë të bindin kryetarin e shtetit, të vijë në tokë prapë. Wilhelmi nguroi shumë gjatë. Është mjaft i sigurt në vaporin ushtarak dhe topi i madh në derën e kabinës i bën përshtypje të mirë një mendjeje të tmerruar. Me një shpallje sikur Princi vetëm donte ta përcjellë familjen, mundohen me mbulua këtë incident të turpshëm, por tashmë është tepër vonë. Mbreti e ka bërë veten qesharak të pashpresë.

As edhe gjatë vazhdimit të rrethimit nuk bën diçka për të riparuar dëmtimin rrënjësisht, të imazhit të tij. Ai ishte bile dhe ushtarak, ai mundet të qëndronte me trupat, t´u jepte kurajo, të ishte shembull i mirë për ta. Dr. Roloff tregon në “Leipziger Neueste Nachrichten” që koloneli trim Thomson, i cili përveç tjerash dha jetën për hir të Wilhelmit, ka thënë në një mënyrë për frikën e Princit, që nuk mund ta shkruajmë në gazetë. Wilhelmi marshonte sa para e mbrapa në dhomat e tij, se çfarë do të futej në valixhet akoma të pambushura mirë. Ky qe aktiviteti i tij.

Ndonjë javë më vonë ai nuk përballoi dot më. Përsëri mori një barkë dhe lundroi për te vapori ushtarak italian “Misurata”, por këtë herë për të mos u kthyer kurrë. Më 3 shtator u zhduk vapori në horizont dhe një principatë ishte shemb krejtësisht pas pesë muajsh ekzistence. Dy javë nga shkëlqimi dhe festa, katër muaj e gjysmë nga rrëmuja dhe trazira, intriga dhe ligësi njerëzore. “Epoka uilhelmjane” që diplomatët austriakë besonin se erdhi kur çifti princor shkeli në tokën e Shqipërisë, nuk u bë kurrë ndonjë epokë, por një episod tragjikomik.

Ndoshta do të ishte bërë një epokë sikur Mbreti të kishte pasë disi frymë nga Skënderbeu, nëse ai do të tregohej si një mashkull të cilin shqiptarët prisnin se ai do të ishte. Por, tani, edhe nëse Wilhelmi me të vërtetë qe një personalitet, prapë se prapë do ta kishte pasur gjithashtu të vështirë të mbante qetësi dhe rregull në një principatë që tashmë parakushtet e saj politike qenë të disfavorëshme dhe të dënuara të dështonin.

Më 3 shtator u mbyll perdja e skenës për operetën e Princit shqiptar. Wilhelmi e formuloi vetë replikën e fundit të operetës dhe këtë ai e bëri në një mënyrë që gati dha një ngritje monumentale, që formoi diplomacinë e paraluftës në mënyrën më të çuditshme, për nga fama të Austrisë në përdorimin e politikës në Ballkan. Ai para se të gremiset për në vaporin italian, arriti t´i drejtohet me një përshëndetje lamtumire popullit shqiptarë, një proklamatë me këtë përmbajtje: Princi i Shqipërisë e sheh më të përshtatshme që për një kohë të shkojë në Perëndim – Wilhelmi.

“… Që për një kohë të udhëtoj për në Perëndim”, qëndron në deklaratën e lamtumirës. Fjalët kanë një përmbajtje më të thellë se sa mund të besohet. Për Wilhelm Wiedin nuk ka mbaruar opereta akoma dhe sot. Ai nuk ka abdikuar kurrë. Kalendari de Gotha përmban akoma në edicionin e vitit 1935, dy shtëpi princore: Mbretit Zog dhe Princ Wied. La vendin më 3 shtator 1914, shkruan për këtë të fundit edhe këtë shtesën e vogël që thotë më shumë: reservant ses droits.

Ai pra akoma nuk është dorëzuar për të restauruar fronin e tij princor; ky zotëria i vjetër i shquar, që tashti shëtit në bulevardin e Nizës me një lule zambaku në jakën e palltos. Ai është gjithnjë pretendent. Ai është Princi i Shqipërisë dhe Mbreti Zog një uzurpator që me forcë ka marrë pushtetin në këtë vendin e çuditshëm, në breg të Adriatikut, ku pushka është një domosdoshmëri sikurse rrobat, pantallonat apo këpucët.

Por, çfarë është më e pasigurt se bota e politikës? Mund të fryjnë erëra të reja, mund të vijë një ditë kur populli shqiptar dërgon një delegacion të ri tek sovrani legjitim dhe me respekt të parashtrojnë një pyetje nëse ai përsëri dëshiron të vijë dhe të hipi në fron. Qe pikërisht kjo: nëse ai dëshiron! Por, është mjaft e mundimshme të qeverisësh pinjollët luftarakë të Skënderbeut. Mendon ky Princi i vjetër, kur shëtit dhe mendon për Shqipërinë e tij të humbur, që kurrë nuk u bë ndonjë Arkadie, sado që fjalët tingëllojnë njëlloj.

Dhe prapë se prapë, janë absolut aq ndryshe.

Ushtima e plumbit në Sarajevë, u ndie mbi gjithë botën. I shkreti Princi Wied është vetëm i pari në radhën e gjatë prej mbretërish dhe princash që duhet të heqë dorë nga lavdia dhe shkëlqimi për një jetë modeste. Valët e stuhishme të luftës përplasen mbi Shqipërinë. Populli i vjetër malësor detyrohet përsëri të braktisë vendin e tij, për shesh ngjarjesh të superfuqive e për ujdinë e përgjakshme. Grekët pushtuan jugun e Shqipërisë, serbët rrëmbejnë pjesën e mesme të vendit – Pogradec, Tiranë, Elbasan – malazezët marshojnë brenda në qytetin e ëndërruar Shkodër, lart në kufirin e veriut. Italia kuptohet merr Vlorën. Dhe, në këtë panoramë të grabitjeve të përgjithshme, bashkohet edhe dhelpra e vjetër, Esad Pasha. Me bishtin nën shalë ai u detyrua të ikte kur trualli u bë tepër i nxehtë në principatën. Tani është kthye si triumfator. Mbret Esadit I-rë i zbavitet gjithnjë intelekti dhe ai ka një fillim të suksesshëm duke u instaluar në Durrës si “diktator” i vetemëruar. Lista e tij e meritave është impresionuese rreth kësaj situate. Sipas radhës dhe me suksese të ndryshme, ai ka shitur veten dhe vendin e tij te Turqia, Mali i Zi, Princi Wied, italianët dhe serbët. Në mbarim të vitit 1915, imazhi shndërron karakterin. Ushtria serbe gjatë tërheqjes së saj të tmerrshme, i bie kryq gjithë vendit, deri në Durrës, nga ku ata trupat e mbetur gjallë të hipnin në vaporet për në Korfuz. Pas serbëve vijnë austriakët dhe e ndjekin po të njëjtën rrugë, sikur kundërshtarët që ikën. Italianët u zgjeruan prej Vlorës, mbi pjesën e jugut të vendit. Në juglindje afrohen francezët. Garnizoni i Korçës tashmë ka pasë njohje me patrullat e Zbulimit francez. Kështu që situata duket se ka stagnuar dhe vazhdon të ketë në përgjithësi të njëjtën pamje deri në shpërthimin e 1918-ës. Esad Pasha që në postin e diktatorit e ndjente veten pakës nervoz, ia mbath për Selanik. Ky Esadi i mirë nuk e ka lehtë. Çdo herë që ai ka gati shansin e fronit mbretëror, vijnë superfuqitë dhe prishin gjithçka.

Një botë në vuajtje dhe e përgjakur, psherëtin nga lehtësia, kur më në fund u trumbetua ndalimi i zjarrit. Një Shqipëri e rraskapitur e mjerë, edhe ajo psherëtin e lehtësuar, me shpresë zgjimi. Aleatët kanë luftuar për synime të mëdha, shqiptarët mendojnë për liri dhe vetëvendosje, për një jetë më të mirë për vende dhe popuj. Njerëzit kanë shpresa të mëdha, nga Konferenca e Parisit.

Në qetësi dhe me besim, se më në fund tani do të jepet drejtësi për një popull që u plaçkit dhe u shtyp, që prej agimit të historisë, formohet një qeveri provizore në Durrës, me Turhan Pashën në krye. Pastaj pritje. Nja dy tre muaj. Katër pesë. Por, trupat e huaj vazhdojnë të jenë, në tokën e Shqipërisë dhe populli shqiptar akoma nuk mund të marrë pjesë në bisedimet për të ardhshmen decizive të vendit. Cirkëlojnë thashetheme të zymta. Pëshpëritet për një ndarje të vendit. Greqia, Italia dhe Jugosllavia e porsakrijuar, nxitojnë me kërkesat e tyre për brigjet e Shqipërisë.

Loja e intrigave të vjetra prej vitit 1912, është përsëri në kulm. Fusha e betejës avullon akoma nga gjaku, por fuqitë ndërluftuese duket se s´kanë mësuar asgjë. Nuk është pyetja me vu kufijtë sipas dëshirës së popullit, por si është drejt dhe lirë. Kjo është po e njëjta histori e vjetër dhe e neveritshme: luftë e fituesve për plaçkë. Dëshira për forcë egërsohet më shumë se kurrë.

Më 1920-ën, pra dy vjet më kot në pritje të vendimit të superfuqive, mendojnë shqiptarët se kanë pritur mjaft. Një kongres mblidhet në Lushnje dhe vendosin të bëhen votime, për të krijuar një asamble kombëtare. Parlamenti i ri zgjedh qeverinë dhe qeveria e re, mblidhet për herë të parë në Tiranë, më 27 mars po atë vit. Postin e ministrit të brendshëm iu dha një të riu 25 vjeçar: Ahmet Bej Zogu.

Lajmi mbi qeverinë shqiptare fluturon jashtë në botë, por bëhet veç një shpallje në sektorët e jashtëm të gazetave. Kush ka kohë në këto ditë fatale, apo interes për fronin e lashtë të princ Wiedit, në breg të Adriatikut? /Memorie/