Kupa e Botës 2026 thyen rekord historik të shikueshmërisë në stadiume


Kupa e Botës 2026 vazhdon të shkruajë histori, duke vendosur një rekord të ri që konfirmon interesimin e jashtëzakonshëm të tifozëve për turneun më të madh të futbollit.
Data 16 qershor 2026 është regjistruar zyrtarisht si dita me pjesëmarrjen më të madhe të tifozëve në stadiume në historinë e Kampionateve Botërore.
Sipas shifrave zyrtare, plot 281.223 spektatorë ishin të pranishëm në stadiume për të ndjekur ndeshjet e zhvilluara gjatë asaj dite.

Në program ishin katër përballje tërheqëse: Francë – Senegal, Irak – Norvegji, Argjentinë – Algjeri dhe Austri – Jordani.
Stadiumet e mbushura dhe atmosfera elektrizuese në tribuna dëshmuan edhe një herë pasionin e madh që vazhdon të zgjojë Kupa e Botës te tifozët nga e gjithë bota.
Ky rekord vjen vetëm në fazën e hershme të turneut, duke rritur pritshmëritë që Botërori 2026 mund të vendosë edhe rekorde të tjera të pjesëmarrjes deri në fund të garës.
Formati i zgjeruar me 48 kombëtare dhe organizimi në tre vende, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë – kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e interesimit dhe pranisë së tifozëve në stadiume.
Shifra prej 281.223 tifozësh në vetëm një ditë përfaqëson një moment historik për FIFA-n dhe një dëshmi të qartë se Botërori 2026 po shndërrohet në një nga edicionet më të ndjekura dhe më spektakolare në historinë e futbollit. /Telegrafi/






































