LAJMI I FUNDIT:

Kundërshtarët nuk e kursejnë, Hazard pëson ndërhyrje çdo 23 minuta

Kundërshtarët nuk e kursejnë, Hazard pëson ndërhyrje çdo 23 minuta
Eden Hazard (Foto: Eric Alonso/Getty Images)

Lëndimet e kanë ndjekur vazhdimisht Eden Hazardin prej se i është bashkuar Real Madridit, ndërsa Los Blancos kanë filluar të mendojnë se ai po trajtohet në mënyrë të padrejtë nga kundërshtarët.

Statistikat tregojnë se futbollisti belg pëson ndërhyrje të palejuar çdo 23 minuta nga mbrojtësit kundërshtarë.


Te Reali besojnë se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë e trajtimit fizik që i bëhet nga rivalët me numrin e lëndimeve që ka pësuar këtë sezon.

(Foto: Eric Alonso/Getty Images/Guliver)

Një ndërhyrje që është komentuar ishte ajo e bashkëkombësit Thomas Meunier (kur ishte pjesë e Paris Saint-Germainit) në Ligën e Kampionëve. Po ashtu, porsa u kthye nga lëndimi, ai pësoi një goditje pikërisht në nyjën e dëmtuar në ndeshjen kundër Eibarit.

Mënyra e tij e lojës me topin shumë afër këmbës i shkakton probleme, sidomos kur fillon të driblojë dhe kundërshtarët tentojnë t’ia marrin topin.

Madje, kjo inkurajon mbrojtësit që ta lëndojnë, pasi e kanë të vështirë që t’ia rrëmbejnë topin pastër. Diçka e ngjashme kishte ndodhur në të kaluarën me Arjen Robben, i cili pësonte lëndime të shpeshta.

(Foto: Angel Martinez/Getty Images/Guliver)

Deri më tash, në 14 ndeshje të zhvilluara, gjegjësisht 1.008 minuta, Hazard ka marrë plot 44 goditje – që do të thotë se ndërhyrjet ndaj tij ndodhin çdo 23 minuta.

Këto të dhëna paraqesin shqetësim serioz për Realin, ku besojnë se belgu po shënjestrohet në mënyrë të padrejtë dhe nuk kursehet nga lojtarët e ekipeve tjera. /Telegrafi/