Kryeministri Rama mbron shpenzimin prej 4 milionë eurosh për koncertin e Kanye West në Shqipëri


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbrojti të mërkurën vendimin për të shpenzuar 4 milionë euro për koncertin e reperit amerikan Kanye West, i cili do të mbahet më 11 korrik.
Kanye West, i njohur edhe si Ye, është ndaluar të performojë në disa vende evropiane gjatë kësaj vere, pas deklaratave të tij që kanë përfshirë lavdërime për Adolf Hitlerin dhe përmbajtje me simbole naziste.
Koncerti, i planifikuar për 11 korrik, do të mbahet në një stadium të improvizuar i ndërtuar posaçërisht për këtë ngjarje, në periferi të Tiranës.
“Ne ndamë 4 milionë euro në momentin e fundit për të shmangur turpërimin e Shqipërisë përpara rreth 25 mijë vizitorëve të huaj nga 80 vende, të cilët kishin blerë tashmë biletat për të parë Kanye West, ndërsa shumë të tjerë kishin frikë se koncerti mund të anulohej”, deklaroi kryeministri Edi Rama në Facebook.
Rama tha se aktiviteti pritet t’i sjellë Shqipërisë të paktën 100 milionë euro të ardhura, pas rritjes së ndjeshme të rezervimeve në hotele dhe struktura akomoduese gjatë periudhës së koncertit.
Njoftimi i Ramës në Facebook u shoqërua me një valë komentesh kritike.
Në anën tjetër, protesta të përditshme po zhvillohen në Tiranë prej më shumë se një muaji. Ato nisën si reagim ndaj planeve për ndërtimin e një resorti luksoz nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Më vonë, protestuesit shprehën kundërshtimin edhe ndaj projekteve të tjera të zhvillimit bregdetar pranë zonave të mbrojtura, ndërsa kanë kërkuar gjithashtu dorëheqjen e Edi Ramës, duke e akuzuar qeverinë e tij për korrupsion. Rama i ka mohuar këto akuza.












































