LAJMI I FUNDIT:

Kosova të jetë më aktive në aspektin e ndërmarrësisë

Kosova të jetë më aktive në aspektin e ndërmarrësisë

Organizata dhe institucione partnere me aktivitete të shumta po shënojnë Javën Globale të Ndërmarrësisë. Kosova duhet të jetë më aktive në aspektin e ndërmarrësisë, tha të martën në programin e mëngjesit në Radio Televizionin e Kosovës, Uranik Begu drejtor Ekzekutiv i Qendrës së Inovacionit në Kosovë, i cili foli për “Javën globale të ndërmarrësisë 2017″.

Sipas tij, qëllimi i organizimit të Javës globale të ndërmarrësisë 2017 është stimulimi i ndërmarrësisë.

“Java Globale e Ndërmarrësisë është ngjarja më e madhe festive e ndërmarrësisë në botë, e cila bën bashkë ndërmarrës, inovatorë, punëdhënës dhe akterë tjerë, që për qëllim kanë zhvillimin e ideve të reja, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies dhe zhvillimin ekonomik” thekson Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo, nikoqir i Javës Globale të Ndërmarrësisë në Kosovë

Ai tha se e veçanta e kësaj jave është se në këtë formë po i jepet edhe një mbështetje institucionale ndërmarrësisë.

“Është krijuar një momentum i ri sidomos me ndërmarrësit e rinj, meqenëse Java Globale e ndërmarrësisë ka shtrije të gjerë në gjithë Kosovën, si në Gjakovë, Prizren, Mitrovicë, Prishtinë…etj”, tha Begu.

Ky i fundit bëri të ditur se një nunër të universiteteve apo sistemit arsimor janë përfshirë në javën globale si partner.

“Vet fakti se janë ndarë 10 milionë euro për Ministrinë e re të Ndërmarrësisë, tregon se institucionet janë të gatshme të përkrahin ndërmarrësinë në Kosovë”, tha ai.

Sipas tij, Kosova në disa aspekte qëndron më mirë se disa vende të rajonit në aspektin e ndërmarrësisë, duke përmendur këtu sidomos studimet jashtë vendit të shumë studentëve.

Përgjatë një jave në muajin nëntor, GEW promovon ndërmarrësinë nëpërmjet aktiviteteve lokale nëpër shtete të ndryshme, të dizajnuara për të vënë në pah potencialin e ndërmarrësve të rinj dhe inovatorëve.

Aktivitetet variojnë nga garat, takimet kokë më kokë, prezantimet, trajnimet profesionale, rrjetëzimet, mentorimet, aktivitetet sociale dhe ligjeratat nga mysafirë të mirënjohur të fushës.
GEW është më shumë sesa një kampanjë vetëdijësuese. GEW është platformë për ndërlidhje dhe bashkëpunim ndër shtetëror, me qëllim të forcimit të ekosistemit botëror në fushën e ndërmarrësisë.

Në vitit 2015, në mbarë botën janë regjistruar 30,000 aktivitete, me më shumë se 10 milionë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë.

E gjitha ka filluar nga ideja që njerëz nga e mbarë bota të zbulojnë talentin dhe të fillojnë rrugëtimin si ndërmarrës.

Më 2007 përfaqësues nga 37 shtete, udhëhequr nga Jonathan Ortmans (President i GEW), e shpallën të hapur kampanjën globale, e cila në fillet e saj u mbështet nga Carl Schramm (ish CEO në Kauffman Foundation) dhe Gordon Brown (ish-kryeministër i Britanisë së Madhe).
Që nga Qershori të vitit 2013, Innovation Centre Kosovo është nikoqir zyrtar i GEW për Republikën e Kosovës.

Qëllimi i GEW Kosova është motivimi i të rinjve për të konsideruar ndërmarrësinë si rrugën e tyre të së ardhmes. GEW Global dhe GEW Kosova punojnë bashkë në krijimin e rrjetit të organizatave partnere dhe komunitetit të liderëve lokal, si promotorë të përhershëm të vlerave të GEW, përgjatë tërë kohës.

GEW po ashtu shërben si platformë për lidhjen e ndërmarrësve të rinj dhe novatorëve të Kosovës me ndërmarrës, partnerë, investitorë dhe klientë nga të gjitha shtetet e pjesëmarrëse.

Më 2014, për herë të parë, GEW Kosova u organizua nën patronatin e ish-Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga.

Gjatë Kongresit Global të Ndëmarrësisë, të mbajtur në Medellin të Kolumbisë, në Janar të vitit 2016, Kosova fitoi çmimin “Brand & Community Champions”, si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta dhe organizimit të mirfilltë të komunitetit dhe kampanjës promovuese të GEW 2015. /RTK/Telegrafi/