Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se gjatë ditës së sotme (20 korrik 2026) do të zbatohen kufizime të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.

Sipas njoftimit të ministrisë, kufizimi do të vlejë vetëm në autoudhë, nga ora 11:00 deri në 17:30, për shkak të temperaturave të larta të parashikuara, të cilat pritet të arrijnë 32 gradë Celsius ose më shumë.


Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të lejohet pa kufizime.

Nga ky kufizim përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente, si dhe institucionet shëndetësore.

Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të automjeteve që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar. /Telegrafi/