LAJMI I FUNDIT:

Konventa e Dytë e Prodhuesve bashkon bizneset – diskutohet për tregtinë rajonale, investimet e huaja dhe marketingun dixhital

Konventa e Dytë e Prodhuesve bashkon bizneset – diskutohet për tregtinë rajonale, investimet e huaja dhe marketingun dixhital

Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) për të dytin vit me radhë ka organizuar Konventën e Prodhuesve.

Këtë vit, konventa ishte fokusuar në dixhitalizimin e sektorit të prodhimit dhe në tërheqjen e investimeve të huaja direkte.


Kryeministri i vendit, Albin Kurti në hyrje të konventës, tha se prodhuesit janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë, të cilët përkundër vështirësive kanë vazhduar të investojnë në Kosovë.

Kurti premtoi se prodhuesit do ta kenë vëmendjen maksimale të qeverisë që ai udhëheqë.

“Prodhuesit tanë janë edhe shtylla e shoqërisë, jo vetëm e ekonomisë. Përkundër vështirësive dhe pengesave të shumta me të cilat përballeni ju, e që janë të shumta edhe në numër edhe në lloj, keni vendosur që të investoni dhe të punoni në Kosovë. Nga unë si kryeministër dhe nga qeveria që unë drejtoj ju do të keni vëmendjen maksimale, prandaj pres që edhe nga kjo konventë të dilni me rekomandime të cilat ne do t’i kthejmë në veprime konkrete”, tha Kurti.

Kryetari i Forumit Ekonomik Mbarë-Shqiptarë, Nagip Fejzi tha se ky bashkim i prodhuesve duhet ta ketë edhe harmonizimin mbarëkombëtar.

“Kohëve të fundit, ngjarjet që mbahet shohim se kanë peshën më të madhe. Kjo është nga puna që bënë si sot për shembull Klubi i Prodhuesve. Unë mendoj se rajoni përfiton dhe biznesi me këto takime”, tha Fejzi.

Drejtori ekzekutiv i Flexograf, Berat Mustafa, duke folur për praninë e prodhuesve në këtë Konventë tha se, sektori i prodhimit është ai që e mbush buxhetin e vendit.

“Të vetmit janë prodhuesit që e mbushin buxhetin. Të gjitha qytetarët krenohen me prodhuesit tonë. Ne si prodhues duhet t’i dixhitalizojmë prodhimet tona, të jemi më afër rrjeteve sociale, mediave e kështu me radhë”, theksoi Mustafa.

Nënshkruhet Kodi i Bizneseve kundër Korrupsionit
Lexo po ashtu Nënshkruhet Kodi i Bizneseve kundër Korrupsionit

Ndërsa, pronari i Jaha Solar, Fadil Hoxha, tha se synimet janë që të bëhemi ekonomi serioze dhe konkurruese për tregun evropian.

“Ngase jemi ekonomi e re, të gjithë jemi fillestar të ri në këtë në botën e prodhimit. Rrjetëzimi është gjëja kryesore. Synimet tona janë që të bëhemi ekonomi serioze dhe konkurruese për tregun evropian”, tha Hoxha.

Konventa e Prodhuesve të Kosovës është ngjarje gjithëpërfshirëse, që përfshin prodhuesit dhe përfaqësuesit e bizneseve, institucionet dhe agjencitë qeveritare dhe përfaqësues të ambasadave dhe të organizatave jo-qeveritare. /Telegrafi/