Komisioni për Legjislacion ka miratuar me 7 vota për dhe 2 kundër Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Gjatë mbledhjes, projektligji është shoqëruar me përplasje mes pushtetit dhe opozitës, si për procedurat ashtu edhe për përmbajtjen e tij.


Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka argumentuar se ndryshimet e bëra në ligj janë të domosdoshme dhe nuk përbëjnë ndryshime kozmetike.

“Ky është një ligj i ndryshuar me atë që ka qenë. Ligjet nuk bëhen për një mandat qeveritar, por përtej tij. Mesazhi që duam të përcjellim nga ky Kuvend është mbështetja për këtë ligj, i cili do të luftojë krimin dhe korrupsionin. Për ata që pa të drejtë u janë sekuestruar pasuritë, kompensimi bëhet sipas ligjit në fuqi. Ky ligj nuk synon qytetarët që kanë punuar dhe kanë ndërtuar pasuri të ligjshme, por fokusohet tek zyrtarët publikë dhe pasuria e tyre e pajustifikueshme”, tha Gërvalla.

Ndwrsa nga ana tjetwr, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka shprehur shqetësime lidhur me procedurat e zgjedhjes dhe shkarkimit të drejtorit të Byrosë.

Ajo theksoi se: “Ligji pritet të votohet në Kuvend pas zgjedhjes së presidentit. Kur gjykata Kushtetuese kishte shpallur projektligjin kundërkushtetues, ishte thënë se Byroja do të udhëhiqet nga autoriteti kompetent. Tash, kanë bërë që drejtorin ta zgjedhin me shumicën e votave të deputetëve prezent, ndërsa më parë ishte parashikuar shumica prej 61 votash. Kjo është e rrezikshme sepse procedurat për emërimin dhe shkarkimin e drejtorit janë kaq të thjeshta, duke i dhënë mundësi një partie politike të ndikojë drejtpërdrejt”.

Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri theksoi tri çështje kryesore që, sipas tij, bien ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardet ligjore në fuqi.

Së pari, ai vuri në dukje se projektligji nuk i është nënshtruar konsultimit publik, një obligim i qartë që buron nga Rregullorja e Punës së Qeverisë, konkretisht neni 49.

Sipas tij, kjo përbën shkelje procedurale dhe cenon transparencën në hartimin e ligjeve.

Së dyti, Tahiri kritikoi faktin që Byrosë dhe Drejtorit të saj u jepet e drejta që procedurat e verifikimit t’i rregullojnë përmes akteve nënligjore. Ai theksoi se kjo është në kundërshtim me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi çështje të tilla duhet të përcaktohen drejtpërdrejt në ligj dhe jo të delegohen.

Së treti, ai ngriti shqetësimin për parashikimin e retroaktivitetit në projektligj, duke theksuar se kjo bie ndesh me disa ligje aktuale dhe cenon sigurinë juridike. /Telegrafi/