Dështon përsëri zgjedhja e kryesuesit të KGJK-së, rishpallet konkursi

Pas tre herësh dështim, edhe sot Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk arriti të bëhet me kryesues. Kandidatët për kryesues të Këshillit Gjyqësor ishin gjyqtari Besnik Bislimaj dhe Rrustem Thaçi.
Ata dështuan pasi që të dy kishin pesë vota në dy rundet, e një votë e pavlefshme e përcaktoi fatin e tyre.
Ushtruesja e detyrës së kryesueses, Arjeta Sadiku ka rishpallur konkursin në afat prej 15 ditësh.
“Në bazë të rregullores dhe rezultatit meqenëse që asnjëri nga kandidatët nuk ka marrë votat e nevojshme për tu zgjedhur si kryesues i këshillit, konkretisht gjyqtari Rrustem Thaçi pesë vota dhe Besnik Bislimaj pesë dhe një e pavlefshme, andaj konform rregullores, konkursi rishpallet, administrata obligohet që të publikoj konkursin, afati do të jetë 15 ditë”, tha Sadiku.
Kandidati për kryesues të KGJK-së, Besnik Bislimaj u zotua se do të ndërtoj një sistem gjyqësor të pavarur, profesional e efikas i cili garanton drejtësi të barabartë për çdo qytetarë.
“Detyra jonë si bartës të funksioneve të sistemit gjyqësor është të ndërtoj një sistem që jo vetëm funksionon por edhe gëzon besimin e publikut. Në realitetin tonë sfida më e madhe nuk është vetëm ndërtimi i institucioneve, por fortësimi i besimit të qytetarëve në to.. Sot qytetarët presin më shumë nga ne, ata presin drejtësi të shpejtë, të paanshme dhe që nuk ndikohet nga askush. Nëse më jepet besimi për të udhëhequr këtë institucion, vizioni im është i qartë, ndërtimi i një sistemi gjyqësor të pavarur, profesional, transparent dhe efikas i cili garanton drejtësi të barabartë për të gjithë. Si kryesues i KGJK-së do të angazhohem për mbrojtjen institucionale të gjyqtarëve nga çdo presion politik apo institucional, reagim të menjëhershëm ndaj çdo ndërhyrje që cenon pavarësinë e gjyqësorit”, tha ai.
Edhe kandidati tjetër shprehi vizionin e tij.
Rrustem Thaçi i cili beson se sistemi i drejtësisë dhe gjyqësori kanë ende nevojë për vazhdim të reformës dhe avancim të sistemit të performancës, tha se do të bëhej më i besueshëm për qytetarët.
“Vizioni im për KGJK-në do të mbështetet në vlerësimin për progresin e arritur ndër vite, por edhe orientimi strategjik ndaj administrimit të gjyqësorit në periudhën e ardhshme. Jam i bindur thellësisht se sistemi i drejtësisë në përgjithësi dhe gjyqësori në veçanti ka ende nevojë për vazhdimin e reformës, për avancimin e sistemit të performancës dhe për rritje të nivelit të llogaridhënies. As sot sfida jonë nuk është vetëm të ruajmë standardet dhe mekanizmat e ndërtuara por t’i avancojmë ato në funksion të një gjyqësori të pavarur, më efikas, e të besueshëm për qytetarët. Besoj në një sistem ku pavarësia nuk kuptohet si mungesë përgjegjësie por si garanci për drejtësi të paanshme, profesionale”, u shpreh ai. /KP/




















































