Tërshëra apo vezët për mëngjes? Ekspertët zbulojnë cila është zgjedhja më e mirë

Pyetja nëse për mëngjes është më mirë të zgjidhni tërshërë apo vezë shpesh nxit diskutime. Edhe pse shumë njerëz presin një përgjigje të qartë dhe të thjeshtë, ekspertët theksojnë se ajo nuk është aq e prerë
Zgjedhja më e mirë varet nga zakonet tuaja, qëllimet shëndetësore dhe stili i jetesës, prandaj rekomandimi ndryshon nga personi në person.
Nevojat individuale janë vendimtare
Ndonjëherë krahasimi i ushqimeve është shumë i thjeshtë. Për shembull, të gjithë e dinë se brokoli i pjekur është më ushqyes se një krofne. Por kur krahasohen tërshëra dhe vezët, situata nuk është bardh e zi.
Gjenetika, gjendja shëndetësore, zakonet e jetesës, madje edhe gjendja financiare ndikojnë në atë se cili ushqim është zgjedhja më e mirë për ju.
Për shembull, nëse synoni të rrisni marrjen e fibrave për zemrën dhe tretjen, tërshëra mund të jetë zgjedhje më e mirë, sepse përmban dukshëm më shumë fibra se vezët.
Nga ana tjetër, nëse dëshironi më shumë proteina për ndërtimin e muskujve ose duhet të kufizoni karbohidratet për arsye mjekësore, vezët mund të jenë opsion më i përshtatshëm, transmeton Telegrafi.

Mënyra e përgatitjes bën dallimin
Edhe ushqimi më i shëndetshëm mund të humbasë vlerat e tij, varësisht nga mënyra si përgatitet.
Tërshëra është zgjedhje e shkëlqyer, e pasur me fibra, vitamina të grupit B, hekur dhe zink. Por problemi nis kur i shtohen sasi të mëdha sheqeri ose kremrash. Për shembull, një porcion tërshëre instant me aromë mund të përmbajë rreth 12 gramë sheqer të shtuar.
Prandaj rekomandohet që të përgatitet në shtëpi dhe t’i shtohen fruta, kanellë ose arra.
E njëjta vlen edhe për vezët. Ato janë burim i shkëlqyer proteinash dhe antioksidantësh si luteina, e dobishme për sytë dhe lëkurën. Por nëse përgatiten me shumë gjalpë, djathë apo krem, shtohen yndyrat e ngopura dhe kaloritë.
Çfarë duhet të zgjidhni?
Kur përgatiten në mënyrë të shëndetshme, si vezët ashtu edhe tërshëra janë zgjedhje të mira për mëngjes.
Zgjidhni tërshërën në ditët kur dëshironi një vakt më të ngopshëm dhe më shumë fibra. Shtimi i frutave dhe arrave e pasuron edhe më shumë vaktin.
Në ditët kur keni dëshirë për diçka të kripur ose ju nevojitet më shumë proteinë, përgatisni një ose dy vezë dhe shërbejini me perime ose sallatë.
Në çdo rast, të dyja opsionet janë zgjedhje shumë më të mira se ushqimet e përpunuara dhe ëmbëlsirat. /Telegrafi/



















































