LAJMI I FUNDIT:

Kastrasti Group sjell në Shqipëri konglomeratin ndërkombëtar ‘Lagardere’

Kastrasti Group sjell në Shqipëri konglomeratin ndërkombëtar ‘Lagardere’

Kastrati Group sot në ambientet e aeroportit “Nënë Tereza”, në Tiranë ka nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme me konglomeratin e mirënjohur francez Lagardère, duke u angazhuar në përpjekje të përbashkëta për zgjerim të mëtejshëm të aktivitetit të dyqaneve duty-free, në të gjithë Shqipërinë.

Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti i grupit “Kastrati”, Shefqet Kastrati dhe Catherine Guyomard, Kryetare e Komitetit Ekzekutiv të Lagardère travel retail (departamenti i shitjes me pakicë në Lagardère).


Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishin të pranishëm Presidenti i Republikës së Francës, Emanuel Macron dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ky bashkëpunim vjen në kuadër të rritjes së jashtëzakonshme të numrit të turistëve që vizitojnë vendin tonë.

Vetëm sezoni i verës ka qenë një sezon befasues, i cili  solli dyfishim të të ardhurave nga turizmi në ekonomi, si dhe rritje të numrit të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë, krahasuar me një vit më parë.

Marrëveshja e nënshkruar mes Kastrati grup dhe kompanisë Lagardère Travel retail konsiston në zgjerimin e aktivitetit dhe shtrirjes së shërbimit duty-free në të gjitha pikat kufitare dhe qendrat kryesore turistike në Shqipëri.

Këto dy grupe angazhohen që krahas zgjerimit të rrisin  ndjeshëm  cilësinë e shërbimit, si dhe shumëllojshmërinë e produkteve.

Grupi Kastrati u themelua në vitin 1991 dhe sot zhvillon aktivitetin e tij në të gjithë rajonin e Ballkanit duke punësuar mbi 4000 punonjës.

Grupi Kastrati, i njohur kryesisht për tregtimin me shumicë dhe pakicë të hidrokarbureve, zhvillon një aktivitet të rëndësishëm në fusha si: sigurime, ndërtim, infrastrukturë, turizëm, industri automjetesh etj.

Lagardere është një grup ndërkombëtar, me qendër në Francë, i cili operon në fushën e botimeve dhe shpërndarjes së tyre, atë të dyqaneve duty- free me mbi 270 dyqane në Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Irelandë, Spanjë, Holandë, Amerikën e Veriut etj.

Gama e aktiviteteve të grupit përfshin edhe prezencën në media të rëndësishme franceze si: Paris Match, Le Journal du Dimanche, Europe 1, Europe 2, RFM.